Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi,i ftuar në studion e News24, komentoi protestën e fundit të opozitës të mbajtur në Tiranë, duke theksuar se manifestimet zhvillohen brenda kornizës ligjore dhe nuk përbëjnë bllokim të rrugëve.
“Protestat tona zhvillohen në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Ne njoftojmë policinë për vendin dhe orën e protestës, dhe aty zhvillohet manifestimi. Nuk kemi bllokuar rrugë, dhe policia mund të përcaktojë akset dytësore për qarkullimin e qytetarëve,” tha Baçi.
Deputeti vuri në dukje se opozita zgjedh vendet ku protesta ka më shumë efekt dhe paralajmëroi se në të ardhmen, manifestimet mund të përfshijnë më shumë akse rrugore. “Protesta jonë nuk ka për qëllim të bllokojë rrugët, por të përcjellë një mesazh të fortë. Nesër mund të jenë 15 akse, pasnesër mund të jetë e gjithë Shqipëria,” shtoi ai.
Duke iu referuar Sheshit Wilson, ku ai vetë ishte i pranishëm, Baçi deklaroi se asnjë mjet nuk ishte bllokuar, duke theksuar se opozita ndërmerr masa për të shmangur pengesat në qarkullim.