Inter nuk ishte brilant ndaj Como-s, por suksesi 2-0 i afron gjithnjë e më shumë me kreun. Në këtë Krishtlindje, atmosfera në kampin zikaltër është fantastike pasi në sezonin e tretë me Inzaghi-n në stol, Inter është në garë me kohë të plotë në tre fronte Serie A, Kupë dhe Champions. Për të qëndruar në këto nivele, Inter është i detyruar të lëviz në merkato, për të korrigjuar disa detaje, pasi Inzaghi ka një grup të plotë dhe cilësorë.
Një nga pikëpyetjet e mëdha të stafit drejtues është Kristjan Asllani. Përjashto disa shkëndija gjatë këtij sezoni, siç ishte goli olimpik ndaj Udineses, mesfushori kuqezi nuk ka qenë brilant, thuajse në asnjë rast nuk ka qenë preferencë e parë, madje edhe në ato momente kur Calhanoglu nuk ka qenë i disponueshëm, Inzaghi është përpjekur të gjejë zgjedhje alternative pa shkuar te zëvendësimi natyral me Asllanin. Thuajse në çdo sesion të merkatos emri i Asllanit ka qenë prezent, shpesh si një mjet shkëmbimi.
Mediat italiane shkruajnë se drejtuesit e Inter mund të përdorin Asllanin për të arritur te Matteo Guendouzi. Mesfushori francez po zhvillon një sezon shumë të mirë me Lazio-n, një lojtar që i pëlqen shumë të synojë edhe zonën, një lojtar që e njeh portën, detaj ky që pëlqehet nga Inzaghi.
Guendouzi do të jetë një i vëzhguar special deri në fund të sezonit, dhe sipas mediave italiane, nuk përjashtohet që në verë të projektohet një shkëmbim kokë më kokë ndërmjet Inter dhe Lazio-s, gjithnjë nëse edhe dy lojtarët do të ishin dakord për këtë lëvizje. Kujtojmëqë Asllani sapo rinovoi kontratën e tij me Inter deri në qershor 2028.
(BalkanWeb)