Superiorja mbylli gjysmën e sezonit dhe Dinamo u shpall kampione e dimrit, me ndjekës Partizanin. Edhe në fund gara është shumë e ethshme, me Tiranën, që ka hyrë në vorbullën e mbijetesës. Një nga trajnerët më të shquar në vendin tonë, gjithashtu figurë ikonike e futbollit shqiptar, Sulejman Starova, në një intervistë për “Panorama Sport” i bën një analizë 19 javëve të luajtura.
Dinamo kampione e dimrit, e ka merituar për aq sa ka dhënë?
Ka ardhur me meritë deri aty dhe ka bërë diferencën gjithë këto javë, duke grumbulluar më shumë se të tjerët. Është një skuadër, e cila e ka rritur nivelin e vet. Nëpërmjet konkurrencës që është krijuar, lojtarët e kanë rritur nivelin.
Kryesojnë me meritë të plotë. Gjithsesi, nuk duhet harruar se edhe skuadrat e tjera janë aty. Flas për Partizanin, Egnatian apo Vllazninë, skuadrat që janë pretendente. Dinamo meriton fjalët më të mira. Kjo rritje përkon edhe me ardhjen e Dajës, që ka meritën e vet, ashtu si edhe presidenca, që ka hedhur investime. Dinamo është bërë skuadër e plotë, me pozicione të dubluara. Po shfaqen disa lojtarë të mirë, Zabërgja ka rritur nivelin me një hap cilësor.
Edhe Bregu ka ndihmuar, pavarësisht se javët e fundit u dëmtua. Daja ka vënë ekuilibër në skuadër, Dinamo nuk pëson shumë gola tani, mbrohet mirë. Është e vështirë ta sulmosh me shumë lojtarë, sepse në anën tjetër bëjnë diferencën sulmuesit, që janë të shpejtë dhe driblues. Kujtoj këtu asistin e Zabërgjës për Nanin.
Qefalija gjithashtu më ka pëlqyer. Të gjithë lojtarët po japin maksimumin. Dinamo i ka dhënë sinjalet, por nuk themi dot se po e dominon Superioren. Aty janë edhe rivalët e tjerë. Edhe Egnatia, që është skuadër që kërkon të dominojë çdo kundërshtar, me disa dobësi, siç është ajo kur rivalët i mbrohen me “bllok” të ulët. Janari është shumë i rëndësishëm në atë që do të prodhojë
Dinamo mposhti Egnatian, ndërsa Partizani mundi Vllazninë. E treguan këto ndeshje se kush janë dy ekipet më të forta?
Jo, jo. Situata ishte e tillë që këto ndeshje nuk kanë treguar ndonjë gjë të veçantë. Partizani e kishte për detyrë ta fitonte ndeshjen me Vllazninë. Kjo e fundit vinte si asnjëherë tjetër me një numër aq të madh mungesash, sa rrallë ndodh. Mungonte e gjithë mbrojtja, bashkë me portierin. Sulmuesit Çoba dhe Mala luanin si mbrojtës krahu. Nuk është tregues kjo ndeshje, por kjo nuk e mohon faktin se Partizani është pretendent.
Si një trajner me eksperiencë të madhe, si mendoni se do të ndikojë te Partizani largimi i tre lojtarë kryesorë në secilin repart?
Në momentin kur po largohen këta lojtarë, për mendimin tim nuk ka sens. Nuk është moment i mirë, por duhet të pranojmë kushtet në të cilat ndodhen klubet tona. Lojtarët janë gjithë kohës me oferta në tavolinë. Për më tepër tashmë oferta po vijnë edhe për lojtarë mesatarë, jo që bëjnë diferencën.
Kjo është diçka jo e mirë për kampionatin dhe pozitive për lojtarët nga ana individuale. Për një trajner është mungesë e madhe. Është e rëndë të të largohen tre lojtarë kryesorë, aq më tepër që dyshja RrapajCara kanë qenë fizionomia apo fytyra e Partizanit. Dy lojtarë cilësorë, driblues gjithashtu, që në kampionatin tonë rrallë i gjen. Mesa di po përpiqen të sjellin lojtarë, kanë sjellë një mbrojtës të djathtë në vend të Hadrojt.
Partizani ka afruar dy lojtarë të rinj. Mendoni se prurjet mund të ambientohen shpejt dhe të ndihmojnë ekipin menjëherë?
Ka pasur edhe shembuj pozitivë, veçanërisht tek Egnatia. Por në përgjithësi lëvizjet e shumta në janar janë eksperiencë e gabuar, sepse prish skuadrën. Në janar duhet të jetë një punë më e imët, më e vogël. Një-dy lojtarë që mund të kapin formacionin është e pranueshme.
Nga ana tjetër, Partizani i ka lojtarët. Është skuadra që ka pësuar më pak se të gjithë në një kohë kur mbrojtja nuk ka qenë me lojtarë “big”. Por Veselinoviç ka rregulluar ekuilibrat në të dyja fazat e lojës dhe po rezulton mirë. Është tregues shumë pozitiv që po pëson pak gola Partizani, në një kohë kur po t’i numërosh sulmuesit bëhen shumë. Zeka, Mba, Bintsuka, Keko, etj. Varet sesi do të bëhet formacioni, sepse nuk do të jetë e lehtë për të rinjtë që të kapin 11-shen. Mbetet për tu parë.
A e ka bërë Veselinoviç diferencën që duhet të bëjë një i huaj kur vjen të drejtojë në Shqipëri?
Historia ka treguar se të gjithë trajnerët e huaj që kanë ardhur këtu, nuk kanë pasur diferenca me shqiptarët. Flas për trajnerë të elitës. Stërvitja nuk është më sekret, siç ka qenë më përpara, kur mungonte literatura e çdo gjë. E kemi parë që asnjëherë trajnerët e huaj nuk e kanë bërë diferencën. Po të kthesh kokën mbrapa, kanë ardhur të huaj pafund, por nuk e kanë arritur suksesin e shqiptarëve. Ndoshta edhe prej faktit që ata kanë nevojë për më shumë kohë ambientimi.
Veselinoviç po punon mirë, e vendos mirë skuadrën në fushë, në ekuilibër. Partizani ndërton nga poshtë, mundohet të luajë shpejt. Kjo është detyrë kryesore e trajnerit, që skuadra të luajë mirë.
Flasim pak për situatën e Tiranës. E rrezikon rënien në të Parën apo mendoni se mund të riparojnë diçka?
Kohë ka sa të duash për tu kthyer. Gjendja aktuale nuk është e mirë. Papritmas edhe Skënderbeu ka marrë pikiatën. Ndërroi trajnerin, por nuk po bën mirë. Këto ndeshjet e fundit kanë bërë që ta shohë veten në vendin e dhjetë, edhe pse luan futboll të mirë. Tirana ka qenë e imponuar për të fituar ndeshjet prej presionit të barazimeve. Presioni i fanellës së rëndë dhe emrit të madh po rëndon te lojtarët që nuk kanë eksperiencën e duhur. Është skuadër me lojtarë jo të këqij, kanë bërë edhe ndeshje shumë të mira, por i mungon eksperienca në përgjithësi.
Mund të fitonin derbin me Partizanin, që mund t’i bënte shumë mirë psikologjikisht. Kjo ka rënduar. Rezultatet negative dobësojnë edhe skuadra shumë të forta. Shikoni Sitin, që nuk ngre kokë. Të vë përpara situata negative. Një shembull është ndeshja e Laçit, kur Tirana ishte në avantazh, por më pas u bë skuadër, ku lexohej goli i barazimit e me radhë.
Kjo vjen e gjitha ngaqë lojtarët nuk kanë eksperiencën dhe personalitetin e duhur. Shoh që lojtarët kanë humbur besimin dhe është situatë shumë e rëndë. Nëse zhbllokohet merkatoja duhet ndërhyrë për të ndryshuar pak atmosferën edhe me lojtarë të tjerë, nuk është problemi se do të gjejnë shpëtimin me 1-2 lojtarë. Mendoj se nuk do t’i mungojnë përpjekjet presidencës për ta ndryshuar këtë gjendje. Panorama Sport