Ukrainasit u përballën me sulme të reja me dronë dhe raketa ruse në infrastrukturën energjetike në mbarë vendin në orët e para të mëngjesit të Krishtlindjes.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy shkroi në Telegram se ky ka qenë një plan i mirëmenduar që të ndodhte pikërisht në këtë ditë.
“Çdo sulm masiv rus kërkon kohë për t’u përgatitur. Nuk është kurrë një vendim spontan. Është një zgjedhje e ndërgjegjshme jo vetëm e objektivave, por edhe e kohës dhe datës. Presidenti rus Vladimir Putin qëllimisht zgjodhi Krishtlindjet për një sulm. Çfarë mund të ishte më çnjerëzore? Më shumë se 70 raketa, duke përfshirë ato balistike, dhe më shumë se njëqind drone sulmuese. Objektivat janë sektori ynë energjetik”, shkruan ai.
Zelensky u shpreh se forcat mbrojtëse kanë arritur të rrëzojë më shumë se 50 prej raketave të nisura nga Rusia, ndërsa janë goditur dhe një pjesë e madhe e dronëve.
“Sipas të dhënave paraprake, mbrojtësit tanë arritën të rrëzonin më shumë se 50 raketa dhe një pjesë të konsiderueshme të dronëve. Për fat të keq, ka goditje. Deri tani, ka ndërprerje në disa rajone. Punëtorët e energjisë po punojnë për të rivendosur furnizimin me energji elektrike sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi ai.
Ky është viti i dytë në të cilin Ukraina do të festojë zyrtarisht Krishtlindjet më 25 dhjetor. Më parë, shumë ukrainas festonin Krishtlindjet në janar sipas kalendarit ortodoks, siç bëjnë ende pasuesit ortodoksë rusë.
“Për herë të dytë, ne festojmë Krishtlindjet në të njëjtën datë me një familje të madhe, një vend. Për herë të dytë në historinë moderne, Krishtlindjet bashkojnë të gjithë ukrainasit. Sot qëndrojmë krah për krah dhe nuk do të humbasim. Personalisht, nga larg, ose në zemrat tona, ukrainasit janë bashkë sot. Dhe për sa kohë që ne e bëjmë këtë, e keqja nuk ka asnjë shans”, shkroi Zelenskyy në Telegram të martën.