Autoritetet e Kazakistanit kanë dhënë detaje në lidhje me aksidentin ajror e ndodhur mëngjesin e sotëm, ku një avion i “Azerbaijan Airlines” i cili po udhëtonte drejt Rusisë u përplas në tokë dhe u përfshi nga flakët.

Njoftohet se nga 67 persona të cilët gjendeshin në bord, përfshirë edhe stafin, dyshohet se 39 prej tyre kanë ndërruar jetë.

“Sipas informacioneve paraprake nga pala Azerbajxhan, në bord ndodheshin 62 pasagjerë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit”, tha Ministria e Transportit, ndërsa shtohet se 32 persona i kanë mbijetuar përplasjes.

Shumë prej tyre janë të shtruar në spital ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore, mes tyre edhe dy fëmijë.

Zëvendësministri i Shëndetësisë i Kazakistanit tha për ABC News se disa nga të dërguarit në spital janë në gjendje kritike.

Autoritetet kazake kanë nisur një hetim për rrëzimin, duke u fokusuar në disa pista, si goditja nga disa shpendë, difekt teknik apo detyrim për të devijuar si pasojë e kushteve të pafavorshme të motit.

Midis pasagjerëve ishin 37 shtetas azerbajxhanas, gjashtë nga Kazakistani, tre nga Kirgistani dhe 16 nga Rusia, tha Ministria e Transportit, duke shtuar se këto ishin të dhëna paraprake.

Azerbajxhani Airlines tha në një postim për “X” se avioni bëri një ulje emergjente rreth 2 milje nga Aktau.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb