Saranda u trondit ditën e djeshme nga krimi në familje, ku 49-vjeçarja Elvira Tahiraj vrau me sëpatë në gjumë bashkëshortin. E pyetur në polici 49-vjeçarja ka pranuar se ishte ajo autore e vrasjes.

Sipas burimeve 49-vjeçarja gjakftohtë por në dukje me probleme të shëndetit mendor ka thënë se edhe në një rast tjetër ka tentuar ta vrasë burrin e vet, ndërsa nuk ka rrëfyer asnjë shkak që e çoi në këtë veprim.

Mësohet se ka qenë vajza e çiftit ajo që e ka gjetur të atin rreth orës 08:00 të pajetë dhe të rrethuar nga një pellg gjaku në shtatin e tij.

Pasi ka kërkuar për të nënën dhe e ka gjetur në derën e jashtme të shtëpisë, vajza ka telefonuar të motrën duke i rrëfyer se çfarë kishte ndodhur.

Sipas një komshiu të lagjes 49-vjeçarja kishte rreth orës 04.00 të mëngjesit që rrinte jashtë tek dera.

“Unë u ngrita për të shkuar tek shtëpia e babait tim që ishte i sëmurë dhe e pashë atë që rrinte tek dera dhe nuk reagoi fare kur kalova. U habita po nuk më shkoi në mend se çfarë mund të kish ndodhur”, u shpreh ai.

Sipas mjekut ligjor të Sarandës viktima është goditur në kokë dhe kishte shumë rrjedhje gjaku.

Prokurorja Esmeranda Basho pas hetimeve të saj vendosi së trupi i viktimës, 55-vjeçarit Llazar Tahiraj të dërgohej në Mjekësinë Ligjore në Tiranë.

49-vjeçarja Elvira Tahiraj ditën e enjte do të dalë për masë në Gjykatë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb