Ashtu si në të gjithë Shqipërinë, edhe në qytetin e Beratit, besimtarët ortodoks dhe katolikë kanë festuar Krishtlindjet. Qindra besimtarë ortodoks i janë drejtuar mëngjesin e sotëm Katedrales “Shën Dhimitri” në qendër të qytetit, për të marrë pjesë në meshën e shenjtë. Liturgjia hyjnore me rastin e Krishtlindjeve filloi në orën 10:00 të mëngjesit dhe u drejtua nga

Mitropoliti i Beratit Imzot Asti, At Joan Qako dhe At Petraq Simsia. Ata uruan të gjithë shqiptarët për një vit me më shumë begati, dashuri e harmoni në çdo familje, duke përcjellë tek të gjithë mesazhin që ta duam dhe ta respektojmë njëri-tjetrin pa kushte, ashtu siç zoti na ka mësuar. Besimtarët ortodoksë beratas kanë uruar “Gëzuar Krishtlindjet” dhe kanë përcjellë për të gjitha familjet beratase mesazhin “për një vit sa më të begatë, me më shumë dashuri e respekt për njëri-tjetrin”.

Pas përfundimit të meshës së shenjtë të Krishtlindjeve, besimtarët ndezën qirinj në flakët e pishtarit që simbolizon “lindjen e Krishtit”.

Sipas traditës së festës, besimtarët i marrin qirinjtë e ndezur në shtëpi, si një dritë shprese për një vit më të mbarë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb