“Yjet e së ardhmes” fiton “Regjia më e Mirë” dhe “Aktorja protagoniste më e Mirë” në Konkurimin e Filmit Ndërkombëtar me Metrazh të Gjatë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Coliseum 2024” (COLIFFE) në Romë. Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Coliseum” (Coliffe), një festival me një prani të lartë yjesh të kinematografisë italiane dhe ndërkombëtare, zhvilloi Edicionin e tij të Katërt në datat 5-12 dhe 17-20 dhjetor 2024, në Romë.

Konkurimi u zhvillua në kategoritë e Filmit me Metrazh të Gjatë (italian dhe ndërkombëtar), Filmit të Shkurtër (italian dhe ndërkombëtar), Filmit Dokumentar (italian dhe ndërkombëtar), Filmit të Animuar (italian dhe ndërkombëtar) dhe Videoklipit dhe u ndoq si drejtpërsëdrejti në mjediset e festivalit, ashtu edhe online nga një numër i konsiderueshëm shikuesish brenda dhe jashtë Italisë.

Juria profesionale, e kryesuar nga producenti Roberto Bessi dhe votat e 7000 shikuesve, prej të cilëve 1500 të huaj dhe 5500 italianë, të cilët vlerësuan kontributet filmike nga 81 vende të botë, e seleksionuan “Yjet e së ardhmes” në pesë finalistët e Seksionit të Filmit të Huaj me Metrazh të Gjatë.

Në Natën Gala të Ndarjes së Çmimeve, filmit “Yjet e së ardhmes” iu akorduan dy çmime: regjisori Edmond Topi u nderua me çmimin “Regjia më e Mirë” dhe Tinka Kurti me çmimin “Aktorja protagoniste më e Mirë” në Konkurimin e Filmit Ndërkombëtar me Metrazh të Gjatë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Regjisori Edmond Topi, duke falënderuar jurinë dhe organizatorët e festivalit, u shpreh “Kur studioja për aktrim dhe regji filmi, Shqipëria ishte plotësisht e mbyllur! Në qytetin tim, Tiranë… muzika dhe kinemaja italiane zgjonin ëndrrën tonë për liri! Jam shumë i lumtur, që mund ta dërgoj këtë çmim nga Roma magjike në Tiranën time!!”

Çmimi “Aktorja protagoniste më e Mirë”, u tërhoq në emër të produksionit nga Mirela Oktrova, e cila, duke falënderuar jurinë, u shpreh: “Tinka Kurti është një nga figurat më të rëndësishme të teatrit dhe kinematografisë shqiptare – një divë e vërtetë me miliona admirues brenda dhe jashtë Shqipërisë. Çmimi është një koncidencë e bukur, pasi Tinka sapo ka festuar 92-vjetorin e lindjes dhe kjo është një dhuratë shumë e bukur për të.”

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Coliseum”, është një Festival, që ka lindur me synimin e promovimit të kinemasë së pavarur dhe veprave debutuese nga e gjithë bota si edhe krijimit të një bashkëpunimi sa më të gjerë kulturor dhe social. COLISEUM është jo vetëm simbol i kryeqytetit italian dhe specifikave kulturore që shërbejnë si atraksion, por edhe një platformë për vepra që vijnë nga çdo cep i botës, për komunikim kulturor ndërkombëtar në gjuhën e kinemasë, hapësirë për kritikë, zhvillim dhe promovim si edhe një konkurs për vlerësim kontributesh dhe personalitetesh.

COLIFFE është pjesë e Rrjetit Evropian të Festivaleve të Filmit HUMANITY CINE EUROPEAN NETWORK, i cili ka për mision të promovojë dhe përhapë përmbajtje audiovizuale evropiane nga producentët e pavarur dhe të zhvillojë audiencat, duke përfshirë gjeneratat e reja dhe duke nxitur aftësitë teknologjike, organizative dhe operative të partnerëve të tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb