Në Itali nuk do të ketë kohë për të festuar në ditët e festive të fundvitit, teksa skuadrat e Serie A do të zbresin këtë fundjavë për të zhvilluar javën e 18 dhe të fundit për vitin 2024.
Atalanta kryeson renditjen me plotë meritë në Seria A, teksa zikaltrit e Gian Piero Gasperinit, po zhvillojnë një sezon të çmendur deri më tani, teksa pas fitores në fundin e ndeshjes ndaj Empolit, bergamaskët regjistruan të 11 sukses radhazi në Serie A. Megjithatë këtë fundjavë, skuadra e Berat Gjimshitit, do të ketë një sfidë tepër të vështirë, një sfidë maturie, ku do të përballen me Lazion. Një ndeshje e vështirë, por që duhet fituar, sepse janë pikërisht të tilla sfida që mund t’i japin skuadrës petkun e favoritit për titull këtë sezon. Lajm i keq për bergamaskët ishte edhe dëmtimi i sulmuesit kryesor Matero Retegui, i cili do të qëndrojë jashtë fushe për afro 15 ditë.
E kundërta me dy ndjekëset e kryesuesve. Kështu si Napoli po ashtu edhe Inter do të kenë sfida më të lehta në letër. Kështu napoletanët do të presin në shtëpi Venezian. Pavarësisht fitores në javën e fundit të ligurëve, skuadra e Di Francescos mbetet një nga skuadrat më të kuotuara për të zbritur sërish në Serinë B, ndaj nuk besohet se skuadra e Antonio Contes do të ketë vështirësi për marrjen e maksimumit nga kjo sfidë.
Ndërkohë që edhe Inter, do të ketë një sfidë të lehtë në letër, teksa zikaltrit e Simone Inzaghit do të udhëtojnë drejt Sardenjës, për t’u përballur me Cagliarin, një tjetër skuadër që ndodhet në zonën e ftohtë të renditjes.
Një sfidë përpara fundit të viti 2024, Atalanta kryeson me 40 pikë, me Napolin e Interin që janë gati të përfitojnë nga çdo hap fals të mundshëm të bergamaskëve.