Pasi luftoi një betejë të gjatë me kancerin, Princesha e Uellsit Kate Middleton mori pjesë edhe për një vit si mikpritëse e koncertit vjetor të Krishtlindjeve “Royal Carols: Together At Christmas”, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, Princi William dhe fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis, ndërsa ajo u shfaq veçanërisht e prekur.

Ngjarja u mbajt në Westminster Abbey dhe u transmetua në prag të Krishtlindjeve. Pavarësisht betejës së saj personale me kancerin, Princesha e Uellsit mori përsipër të organizonte shërbimin. Këngët e Krishtlindjeve u filmuan në fillim të këtij muaji dhe shfaqnin anëtarë të familjes mbretërore. Middleton nuk e fshehu as emocionin e saj gjatë ceremonisë.

Në mesazhin e saj, Kate Middleton i bëri thirrje botës që t’i drejtohet “dashurisë, jo frikës” dhe foli për rëndësinë e dashurisë.

Mesazhi i saj, i cili gjithashtu iu dërgua çdo të ftuari në koncertin e 6 dhjetorit, thoshte: “Krishtlindja është një nga periudhat e mia të preferuara të vitit, është stina e dhurimit, por është gjithashtu një kohë për të ngadalësuar dhe menduar për gjërat më të thella, gjëra që na lidhin të gjithëve. Kur ndalemi dhe largohemi nga presionet e përditshmërisë, gjejmë hapësirën për të jetuar jetën tonë me zemër të hapur, me dashuri, mirësi dhe falje, që është një pjesë e madhe e frymës së Krishtlindjes.

Duke vazhduar mesazhin e saj, Princesha e Uellsit tha: “Historia e Krishtlindjeve na inkurajon të mendojmë për përvojat dhe ndjenjat e të tjerëve. Ajo gjithashtu pasqyron dobësitë tona dhe na kujton rëndësinë e dhënies dhe marrjes së empatisë dhe sa shumë kemi nevojë për njëri-tjetrin pavarësisht dallimeve tona. Mbi të gjitha, na inkurajon t’i drejtohemi dashurisë dhe jo frikës”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb