Pas fitores me Egnatian, që e “certifikoi” Dinamon kampione dimri, skuadra nuk ka pasur mundësi të pushojë shumë. Blutë janë stërvitur edhe dje në kompleksin e tyre në Arbanë.
Trajneri Ilir Daja ka vendosur që lojtarëve t’u japë pushim vetëm sot dhe nesër, për t’u kthyer më pas në stërvitje deri më 30 dhjetor. Për festën e Vitit të Ri skuadra do të ketë sërish pak kohë për të pushuar, sepse ndeshjet e kampionatit fillojnë shumë shpejt. Kështu, sipas programit, Dinamo do të zbresë në fushë më 3 janar të vitit 2025 për të nisur përgatitjet e ndeshjes së parë me Bylisin në transfertë.
Kryeqytetasit kanë shumë lojtarë të huaj në skuadër dhe ndoshta për ndonjërin prej tyre mund të ketë ndonjë ditë pushim më shumë. Nga janari fillojnë edhe ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, ku blutë synojnë të shkojnë sa më larg, kështu që skuadra duhet të jetë gati. Në këtë situatë nuk do të lindë nevoja për ndeshje miqësore, pasi sfidat zyrtare janë shumë afër.