Dhjetëra persona kanë humbur jetën si pasojë e përplasjes së avionit ditën e djeshme në Kazakistan. Megjithatë tragjedisë ajrore i kanë mbijetuar 29 pasagjerë, meritë në të cilën ka edhe reagimi nga ana e ekuipazhit të avionit.

Piloti Igor Kshnyakin kishte më shumë se 15 mijë orë fluturimi në karrierë dhe së shpejti do të tërhiqej. Aleksandr Kalyaninov ishte oficeri i parë, më i ri, por me pasion për aeroplanët.

Ndërkohë Hokuma Aliyeva ishte një stjuardesë shumë e re.

Edhe pse e re ajo ruajti ftohtësinë për aq kohë sa mundi duke u kujdesur të qetësonte dhe të jepte informacion për ata që ishin në bordin e fluturimit J28243.

Pilotët, sipas ekspertëve të cilët kanë analizuar lëvizjet e avionit, kanë tentuar në çdo moment t’i shpëtojnë përplasjes fatale.

Ata vazhduan fluturimin e “Embraer E190” deri në momentin e fundit me shpresën se mund të uleshin të sigurt, duke qenë se aeroporti i Aktaut ishte pranë, prandaj edhe e zgjodhën atë. Pilotët evituan zonat e banuara dhe e ulën avionin në një fushë ku nuk kishte ndërtesa. Ekspertët besojnë se ky vendim shpëtoi shumë jetë.

Dyshimi tashmë i konfirmuar edhe nga disa ekspertë dhe analistë të industrisë, është se avioni u godit nga predha nga një raketë ruse e lëshuar nga anti-ajror për të zmbrapsur një sulm me dronët ukrainas që po zhvillohej në Çeçeni në atë kohë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb