Presidenti i PL, Ilir Meta ka reaguar nga qelia lidhur me situatën që po kalon sipas tij bujqësia, arsimi dhe shëndetësinë në vend. Meta thotë se qeveria ka shkurtuar fondet për tre sektorët kryesore të vendit.

Kreu i PL shprehet se qeveria ka shkurtuar fondet buxhetore për Arsimin me 700 mln lekë, për Shëndetësinë me 2.6 mld lekë dhe për Bujqësinë me 800 milionë lekë më pak. Ai tha se një gjë e tillë ka për qëllim shpopullimin e vendit.

“Të ulësh fondet për Bujqësinë, këtij sektori jetik për ekonominë kombëtare dhe punësimin, në kushtet kur fermerët po falimentojnë, po hedhin në kanal prodhimet e tyre dhe po detyrohen të largohen nga Shqipëria, do të thotë ta çosh këtë sektor përfundimisht drejt kapitullimit. Braktisja e këtyre tre sektorë është një nxitje tjetër e shpopullimit, kësaj axhende antikombëtare të projektuar prej kohësh”, shprehet Meta.

Reagimi
 Vendimi më i fundit i Qeverisë për të shkurtuar fondet buxhetore për Arsimin me 700 milion lekë, për Shëndetësinë me 2.6 miliard lekë dhe për Bujqësinë me 800 milion lekë është tregues i vijimit të moskujdesit dhe braktisjes së tre sektorëve jetikë socialë, me pasoja të drejtpërdrejta negative për qindra mijëra mësues, mjekë, infermierë e stafe mbështetëse, si dhe fermerë.

Të lesh Arsimin pa fonde shtesë, kur nevoja për rritjen e pagave, për ndërtimin e shkollave, kopshteve dhe çerdheve të reja, si edhe domosdoshmëria për rritjen e sigurisë së institucioneve arsimore është urgjente provon papërgjegjshmërinë totale politike të Narkoqeverisë së Edi Ramës. Mungesa e fondeve do të thellojë akoma më shumë rezultatet negative të Shqipërisë, që renditet e fundit në botë për cilësinë e Arsimit.

Të shkurtosh fondet e Shëndetësisë pasi ke premtuar “shëndetësinë falas” do të thotë të braktisësh stafin mjekësor, të thellosh mungesën e ilaçeve dhe investimeve në spitale, në një kohë kur skandalet e mostrajtimit dinjitoz të pacientëve thellohen dhe shpërthejnë çdo ditë, si skandali i Onkologjikut, i sëmundjeve kronike e plot të tjera.

Të ulësh fondet për Bujqësinë, këtij sektori jetik për ekonominë kombëtare dhe punësimin, në kushtet kur fermerët po falimentojnë, po hedhin në kanal prodhimet e tyre dhe po detyrohen të largohen nga Shqipëria, do të thotë ta çosh këtë sektor përfundimisht drejt kapitullimit. Braktisja e këtyre tre sektorë është një nxitje tjetër e shpopullimit, kësaj axhende antikombëtare të projektuar prej kohësh.

NarkoQeveria e Edi Ramës është e qartë në qëllimin e saj, duke ulur fondet për sektorët vitalë të ekonomisë dhe social, ka rritur fondet e ministrive të Energjitikës, së Brendshme dhe Turizmit, pra praktikisht ka rritur fondet për sektorët e tenderave për të vjedhur taksat e shqiptarëve.

Pesë Prioritetet e Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus që ndalin shpopullimin dhe kthejnë Shqipërinë në fuqi eksportuese janë e vetmja rrugë për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit, për mbështetjen e familjeve, si dhe për rritjen e mirëqenies të qytetarëve, në veçanti për pensionistët dhe shtresat në nevojë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb