Dietologu Nikola Ndoni ka ndarë këshilla të rëndësishme mbi ushqimet që duhen shmangur gjatë festave të fundvitit, në një komunikim të drejtpërdrejtë për News24 në rubrikën “Koha për t’u zgjuar”.
Sipas tij, shmangia e karbohidrateve të përpunuara dhe reduktimi i konsumit të sheqerit janë hapat e parë për të mbrojtur shëndetin gjatë periudhës festive. “Nëse shmangim sheqerin, kemi bërë gjysmën e punës,” tha ai, duke theksuar se individët me sëmundje metabolike duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm me ushqimet që konsumojnë.
Ndoni shpjegoi se mishi nuk është një ushqim që duhet shmangur, duke theksuar se nuk përbën rrezik për shëndetin nëse konsumohet me masë. Megjithatë, ai paralajmëroi për rreziqet e ëmbëlsirave, veçanërisht atyre që shiten në rrugë, duke i konsideruar si burime të mundshme inflamacioni. “Kokoshkat dhe disa ushqime të skuqura janë kancerogjene. Nuk është çështja e kalorive, por ndikimi i tyre negativ në shëndet,” theksoi ai.
Një tjetër element shqetësues është alkooli, një pjesë tradicionale e festave. “Edhe pse është pjesë e zakonshme e festave, alkooli është shumë i dëmshëm,” tha dietologu. Ai sugjeroi që, nëse konsumohen pije alkoolike, të preferohen ato të fermentuara si rakia, vodka dhe uiski, të cilat kanë më pak ndikim kalorifik.
Këshillat e Ndoni-t janë një thirrje për vetëdijësim dhe kujdes më të madh gjatë festave, duke nxitur një qasje më të shëndetshme ndaj ushqimit dhe pijeve në këtë periudhë të ngarkuar.