Kabineti i i kryeministrit hungarez, Viktor Orban ka reaguar në lidhje me vendimin e Departamentit amerikan për të futur në listën e zezë zyrtarin e lartë të Qeverisë së Hungarisë, Antal Rogan. Rogan dyshohet për përfshirje në korrupsion në Hungari.

Me anë të një postimi në platformën sociale, X, Balázs Orbán, drejtori politik i kryeministrit Orban, thotë se vendimarrja e Depratamentit amerikan të Thesarit, është një akt hakmarrjeje personale nga të dështuarit e ambasadës amerikane në Hungari.

Sipas tij, Ambasadori Pressman, i cili pas pak ditësh do të largohet nga Hungaria, pas 20 janarit, Shtetet e Bashkuara do të kenë një president të ri dhe një qeveri të re, që do të rregukllojë në katër vitet e ardhshme marrëdhëniet hungarezo-SHBA. ‘Ministri i Zyrës së Kabinetit të Kryeministrit hungarez sapo është shtuar në listën e sanksioneve amerikane. Ky është një akt hakmarrjeje personale nga i dështuari, Ambasadori Pressman, i cili pas pak ditësh do të largohet nga Hungaria. Nga 20 janari, Shtetet e Bashkuara do të kenë një president të ri dhe një qeveri të re. Këtu kemi një katër vjeçar më të mirë në marrëdhëniet hungarezo-SHBA’.

Akuzat për korrupsion dhe nepotizëm e kanë shoqëruar Kryeministrin Viktor Orban që kur erdhi në pushtet në vitin 2010, ndërsa marrëdhëniet e Budapestit me Uashingtonin janë përkeqësuar gjatë mandatit të Presidentit Joe Biden, pjesërisht për shkak të marrëdhënieve të ngrohta të Budapestit me Moskën, pavarësisht luftës në Ukrainë.

Kryeministri Orban i ka mohuar vazhdimisht akuzat për korrupsion. Sanksionet u vendosën ndaj Antal Roganit, një bashkëpunëtor i afërt i zotit Orban, që ka mbajtur detyrën si shef kabineti që nga viti 2015. Zoti Rogan ka qenë një person i afërt me zotin Orban prej dekadash, duke drejtuar makinerinë mediatike të qeverisë dhe duke ndihmuar për fushatat e tij zgjedhore. Ai aktualisht mbikëqyr edhe shërbimet sekrete të Hungarisë, një vend anëtar i NATO-s.

Departamenti amerikan i Thesarit e akuzon zotin Rogan se ka shfrytëzuar rolin e tij për të siguruar përfitime financiare për veten dhe aleatët politikë. “Personat e lidhur ngushtë me partinë politike në pushtet kanë përfituar një perandori të ardhurash”, tha gjatë një konference për shtypin ambasadori amerikan në Hungari, David Pressman. “Antal Rogani është arkitekt kryesor, zbatues dhe përfitues i këtij sistemi korrupsioni”.

Ambasadori Pressman ka qenë një kritik i hapur i qeverisë Orban gjatë mandatit të tij në Budapest, duke e kritikuar ashpër për forcimin e marrëdhënieve me Rusinë.

Kabineti i zotit Orban, i drejtuar nga zoti Rogan, e hodhi poshtë vendimin duke e cilësuar si “hakmarrjen e fundit, të vockël të ambasadorit amerikan – të pasuksesshëm dhe në largim ”. “Pas 20 janarit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kenë një qeveri të re dhe një president të ri. Pas inaugurimit të tyre, do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshme ligjore”, thuhet në një deklaratë të qeverisë hungareze, të dërguar nëpërmjet postës elektronike.

Kryeministri Orban dhe partia e tij Fidesz kanë qenë ndër mbështetësit më të mëdhenj në Evropë të Presidentit të zgjedhur Trump, i cili do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar. Në vitin 2023, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj pesë zyrtarëve të qeverisë bullgare, me akuza për korrupsion./ VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: