Kryeministri në largim i Kanadasë, Justin Trudeau i është përgjigjur deklaratave të Donald Trump për të përdorur “fuqinë ekonomike” në funksion të asaj që presidenti i zgjedhur amerikan po flet gjithnjë e më tepër, për shtetin e 51-të të SHBA-së.

Javët e fundit Trump ka insistuar që Kanadaja të bëhet një shtet amerikan. “Hiqeni atë vijë të bërë artificialisht dhe hidhini një sy se si duket… Do të ishte shumë mirë edhe për sigurinë kombëtare”, tha Trump në konferencën për shtyp nga rezidenca e tij Mar-a-Lago në Florida, të martën.

Trump përsëriti edhe “kërcënimin” e tij për rritjen e tarifave ndaj mallrave kanadeze nëse fqinji verior nuk ndërmerr hapa për të rritur sigurinë në kufirin e përbashkët me SHBA.

Justin Trudeau dha dorëheqjen ditën e hënë. Por megjithatë, ai do të qëndrojë si kryeministër derisa liberalët në pushtet të zgjedhin një udhëheqës të ri, gjë që pritet të ndodhë në fund të marsit.

Ekonomistët paralajmërojnë se nëse Trump vijon me vendosjen e tarifave, pasi të inaugurohet në 20 janar, kjo do të dëmtonte ndjeshëm ekonominë e Kanadasë. Rreth 3.6 mld dollarë mallra dhe shërbime kaluan kufirin ccdo ditë në vitin 2023, referuar shifrave të qeverisë kanadeze.

Qeveria e Trudeau ka thënë se po shqyrton reciprocitetin në rast të vendosjes së tarifave nga Trump.

“Punëtorët dhe komunitetet në të dy vendet tona përfitojnë nga të qenit partneri më i madh tregtar dhe i sigurisë i njëri-tjetrit”, tha Trudeau

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb