Deputetja e PD Ina Zhupa, njëkohësisht edhe kryetare e komisionit të edukimit premton se PD do të heqë mesataren për të konkuruar për një shkollë të lartë. Sipas saj, sot në Shqipëri nëse një i ri ka një mesatare 6.5 e poshtë nuk i lejohet të konkurojë për të marrë arsimin e lartë.
Zhupa shprehet se kjo merr fund me fitoren e Partisë Demokratike dhe të rinjtë në vitin e ri akademik në tetor do të mund të shkojnë në shkollën që fitojnë, sipas preferencës dhe meritës.
“Ne do të duhet të punojmë që e ardhmja e të rinjve të jetë e begatë, të jetë në vazhdimësi të ëndrrave të tyre dhe jo të pengohet për çdo gabim të të shkuarës”- përfundon Zhupa.
Mesazhi i plotë i Ina Zhupës:
Nëse je sot një i ri në Shqipëri, që mbaron gjimnazin me mesatare nën 6.5 bashkë me provimet e maturës, ti e ke të pamundur të shkosh në një shkollë të lartë.
Kjo është mesatarja e partisë që ka vendosur qeveria Rama, duke i hequr të drejtën çdo të riu për të vazhduar shkollën e lartë. Një 15-18 vjeçarë që për arsye ekonomike, sociale, ndonjëherë papjekuri moshe apo dhe shëndetësore nuk ka mundur të garantoj një mesatare më të lartë se 6.5 merr një damkë për gjithë jetën, pamundësinë për të vazhduar shkollën e lartë që do dhe për të pasur një të ardhme më të mirë.
Kjo praktikë merr fund me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike. Në vitin e ri akademik në tetor çdo i ri do të mund të shkoj në shkollën që fiton, sipas preferencës dhe meritës.
Ne do të duhet të punojmë që e ardhmja e të rinjve të jetë e begatë, të jetë në vazhdimësi të ëndrrave të tyre dhe jo të pengohet për çdo gabim të të shkuarës.
(BalkanWeb)