Kryeministri Edi Rama, në konferencën për mediat komentoi vendimin e sotëm të marrë nga ERE, për të ulur çmimin e energjisë elektrike, duke e fiksuar në 8.5 lekë për kilovat. Rama deklaroi se kjo është hera e parë në 35 vite që çmimi i energjisë elektrike ulet. Kryeministri shtoi se sot qeveria mund t’i shohë në sy qytetarët dhe mund t’ju thotë pa frikë se kush shpenzon deri në 700 kilovat, do paguajë më pak.

Edi Rama: Sot do të ndajmë me publikun një arritje që është nga më domethënëset e qeverisjes sonë, uljen e parë në historinë e këtyre 35 viteve, të ccmimit të energjisë elektrike. Ky është një fakt. Ishim në humnerë ku nisëm ngjitjen në këtë pikë. Ulja është në kundërtendencë të plotë me rajonin dhe kontinentin ku jetojmë ku çmimet janë rritur dhe kërcënohen nga rritje të tjera. Kjo masë është më shumë se sa e mirëmenduar, e diskutuar gjerësisht në të gjitha nivelet me ekspertizën e brendshme dhe me ekspertizë ndërkombëtare, e bazuar në projeksionet e planit tonë strategjik për sovranitetin e plotë energjetik dhe kthimin e Shqipërisë në një eksportues neto të energjisë brenda mandatit tonë të katërt. Sigurisht duke pasur parasysh edhe parimin e shpallur botërisht të qeverisë tonë për të ndarë me qytetarët frytet e reformave të dhimbshme, frytet e përpjekjeve të mundimshme në këto vite dhe frytet e një rritje ekonomike që për 2025 e parashohim në harkun e 4% që është një shifër shumë domethënëse.

U deshën vite por ne ia dolëm, t’ju shohim në sy dhe t’ju themi, sepse 90% e konsumatorëve shpenzojnë deri në fashën 700 kilovat do të kenë një ulje të energjisë. Konsumi më i lartë i vitit ishte 21 mln kilovat orë, në natën e vitit të ri 2019. Ka qenë konsumi më i lartë. Sot 22 mln kilovat orë është normaliteti. Ndërkohë që në pikun, shkojmë 28-29 mln. Pikun s’e kemi më për vitin e ri siç e kishim, por edhe në periudhën e verës prej turizmit e dhjetor-janar po ashtu. Tregon se Shqipëria është një vend tjetër. Rritja e konsumit të energjisë tregon rritje të ekonomisë, rritje të kapaciteve në të gjitha shtresat për konsum të energjisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb