Elbasani është duke vijuar normalisht përgatitjet në kuadër të ndeshjes që do të kenë këtë fundjavë me Teutën në “Elbasan Arena”. Një përballje ndaj një rivali direkt, në të cilën verdheblutë duan të dalin me pikët e plota për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në “Final 4” në fund të edicionit.
Për këtë arsye, drejtuesit janë duke punuar në merkato për të përforcuar ekipin, siç janë dy lëvizjet e fundit si mbrojtësi lituanez Sigitas Olberkis dhe mesfushori nigerian Abas Ibrahim. Dy lojtarët u janë bashkuar menjëherë në stërvitje dhe janë vënë nën urdhrat e trajnerit serb.
Shokët i kanë uruar “mirëseardhjen” duke i bërë të kalojnë në një tunel mes shpullave, traditë e vjetër mikpritjeje në futboll kjo. Mësohet se këto dy afrime nuk do të jenë të fundit, pasi në plan janë për t’u bërë të tjera goditje nga ana e klubit.
Lajmi i mirë për Gvozdenoviç është gjithashtu se të gjithë lojtarët janë gati dhe nuk ka të dëmtuar përpara ndeshjes me durrsakët. Mungesat ishin një nga problemet e mëdha të verdhebluve në javët e fundit të vitit 2024.