Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez sulmoi sot miliarderin Elon Musk për ndërhyrje në politikën evropiane, duke e akuzuar atë për minimin e demokracisë.

“E djathta ekstreme ndërkombëtare, të cilës ne i rezistojmë prej vitesh në Spanjë, e udhëhequr në këtë rast nga njeriu më i pasur në planet, sulmon hapur institucionet tona, nxit urrejtje dhe mbështet hapur trashëgimtarët e nazizmit në Gjermani”, tha Sanchez për Musk pa ia përmendur emrin.

Sanchez po fliste në Madrid në një ngjarje që shënonte 50 vjetorin e vdekjes së diktatorit Francisco Franco.

Musk, i cili do të shërbejë si këshilltar i jashtëm i administratës amerikane gjatë presidencës së Donald Trump, foli mbi çështjet spanjolle të dielën, duke komentuar në X rreth një artikulli që thoshte se dënimet për përdhunim në rajonin verilindor spanjoll të Katalonjës përfshinin kryesisht të huaj.

Sanchez tha se demokracia është e brishtë dhe përballet me një kërcënim ekzistencial.

“Nëse historia na mëson diçka, është se liria nuk fitohet gjithmonë”, theksoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb