Ndonëse përsëritja e vitit të kaluar ku Egnatia bëri “tripletë” në futbollin shqiptar duket një mision i vështirë, sërish rrogozhinasit kanë pretendimet e tyre për të fituar patjetër trofe dhe vijuar me ecurinë e sezoneve pozitive.

Mirëpo, dukshëm në krahasim me sezonin e kaluar, skuadra e këtij viti është më pak efikase dhe për këtë mjafton të shohësh klasifikimin dhe pikët, që janë më dobët sesa një vit më parë.

Lëvizjet e shumta në merkato dhe ndryshimi i grupit, kanë pasur ndikimin më të madh përgjatë gjysmës së parë të kampionatit. Megjithatë, drejtuesit duan të rikuperojnë patjetër diçka në pjesën e dytë të kampionatit dhe për këtë do të shfrytëzojnë merkaton e janarit. Deri më tani kanë ardhur largimet e mbrojtësit Frederik Veselit dhe sulmuesit Alesandro Ahmetaj, lojtarë që duhen zëvendësuar me patjetër dhe sa më shpejt që të jetë e mundur.

KËRKOHET “BOMBER” – Mund të thuhet pa frikë se në Egnatian e këtij sezoni mungon një sulmues që ta nxjerrë nga situata. Golashënuesi i skuadrës është mesfushori Regi Lushkja me gjashtë rrjeta, i cili në njëfarë mënyre ka rikuperuar disi problematikën me sulmuesit në skuadër.

Nga ana tjetër, largimi i Dardan Vuthajt në mes të sezonit ka lënë një gropë të madhe në majën e sulmit dhe ka vënë menjëherë drejtuesit në lëvizje. Burime të gazetës pohojnë se kampionët janë në kontakte me një sulmues nga futbolli fqinj në Itali dhe mbetet për t’u parë nëse do të arrijnë në fund në një marrëveshje. Në fakt, nga sulmuesit që kanë mbetur aktualisht në skuadër, të gjithë në total kanë shënuar vetëm katër gola, një shifër e papërfillshme duke ditur se janë lojtarë të ekipit kampion. Më konkretisht, dy rrjeta ka shënuar Bakajoko dhe nga një Jahaja me Dukuo.

Ky fakt e ka bërë situatën alarmante dhe mësohet se gjetja e një sulmuesi është kthyer në një emergjencë, për të mos vënë në rrezik edhe realizimin e objektivave. Tani në muajin janar është e vështirë për të gjetur një sulmues cilësor, por gjithsesi në klub janë duke parë të gjitha pistat e mundshme për të shkuar tek ai që do t’u garantojë golat për pjesën e mbetur të këtij sezoni. Mbetet për t’u parë sesi do të vijojnë gjërat, por koha në dispozicion nuk është shumë e madhe, pasi kampionati nis këtë javë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb