Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i ftuar në emisionin “Open” në News24 ka sqaruar detaje në lidhje me procesin e votimit nga diaspora.
Ai u shpreh se ka nisur konsultimi për zgjedhjen e operatorëve që do të merret me dërgimin dhe kthimin e fletës së votimit, por se ende nuk është vendosur asgjë.
“Synojmë të zgjedhim një nga operatorët e mirënjohur ndërkombëtar,. Kemi bërë disa konsulta me të gjithë ata që kanë përfaqësi në Shqipëri. Synuam të kuptojmë si zhvillohet procesi për të parë kohën dhe detajet teknike të dërgimit të fletës, kthimit pas, kostot etj. Jemi ende herët për përzgjedhjen aktualisht sepse nuk e dimë ende se sa do të jetë numri i atyre që do të regjistrohen. Pritet që kjo të nisë nga data 4 mars”, tha ai.
Celibashi foli edhe në lidhje me ndryshimet e nevojshme ligjore në mënyrë që kostoja e votës dhe postën të mbulohet plotësisht nga shteti shqiptar.
“Duhet një ndryshim ligjor për të hapur rrugë prokurimit të kthimit të letrës dhe nuk besoj që partitë të mos ketë vullnet të bëjnë këtë ndryshim që është në të mirë të tyre dhe votuesve. Ka nevojë për këtë ndryshim për t’i hapur rrugë procesit. Në ligjin për buxhetin 2025 është parashikuar edhe kostoja për kthimin e fletës së votimit. Nëse votojnë 1 mln shqiptar, buxheti nuk mjafton dhe do të duhet të shtohet”, tha ai.
Kreu i KQZ u ndal edhe tek vota familjare, një problem ky që haset në çdo proces zgjedhor në Shqipëri.
“Fleta e votimit i shkon individualisht çdo personi pavarësisht nëse janë disa persona që banojnë në të njëjtën adresë Operatori e dorëzon zarfin me fletën e votimit vetëm personit. Nëse nuk e gjen do të shkojë deri në 3 herë, ose ndryshe nuk i dorëzohet, nuk mund ta marrë një anëtar i familjes. Votimi nëse duan ta konsultojnë, kjo është një çështje që nuk e kontrollojmë”, u shpreh ai.
(BalkanWeb)