Marsida Xhaferllari, gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese kërkoi dorëheqjen nga gjykimi për masën e sigurisë për kreun e PD Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Mallezi. Xhaferllari, bashkëjetuesja e Enkelejd Alibeajt është gjyqtare e Kushtetueses.
Berisha e Malltezi kanë depozituar kërkesa në Kushtetuese që të heqin masat e SPAK në ngarkim të tyre. Gazetari Osman Stafa raporton për BalkanWeb se Xhaferllari kërkoi të hiqte dorë me vullnet të saj të plotë nga trupa gjykuese që do shqyrtojë pikërisht kërkesën e Berishës dhe të Malltezit, por Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e saj.
Përmes një letre drejtuar kryetares në detyrë të Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, Xhaferllari theksoi se përmes pretendimeve të Berishës dhe Malltezit është vënë në diskutim paanshmëria e saj. Xhaferllari shton gjithashtu se me rëndësi është prevalimi i reputacionit të Gjykatës Kushtetuese, përtej krenarisë së saj profesionale. Por, pavarësisht pretendimeve të gjyqtares, Kushtetuesja nuk ka pranuar kërkesën për të mos qenë pjesë e gjykimit të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.
Argumentet që dha gjyqtarja Marsida Xhaferllari për të hequr dorë nga gjykimi i çështjes së Berishës dhe Malltezit, por që u refuzua nga Kushtetuesja:
Më 7 tetor 2024, Malltezi ka paraqitur kërkesë për përjashtimin e saj nga shqyrtimi i çështjes. Sipas gjyqtares, “Malltezi ka vënë në dyshim paanshmërinë time, për të cilën paraqet si shkak ndërhyrjen nga persona të tretë, të cilët sipas kërkuesit kanë interes të drejtpërdrejtë politik në izolimin e kërkuesit dhe të vjehrrit të tij, z. Sali Berisha për arsye politike”.
“Me anë të kësaj kërkese parashtroj qëndrimin tim në kohën më të shkurtër të mundshme (duke vënë në dukje se në periudhën 09-13.10.2024 së bashku me të gjithë gjyqtarët kemi qenë me shërbim jashtë vendit), si një shenjë e detyrimit ligjor dhe etik që kam për të vlerësuar me seriozitet këtë kërkesë, pavarësisht nga baza e saj, për t’i përçuar jo vetëm kërkuesit mesazhin se kjo Gjykatë, dhe unë si anëtare e saj, trajtojmë me seriozitet çdo kërkesë të palëve”, shprehet gjyqtarja në shkresën drejtuar Holta Zaçajt.
Gjyqtarja Xhaferllari hedh poshte supozimet për ndikim nga figura politike të ndryshme, qe sipas saj nuk qëndrojnë. “Në asnjë rast, asnjë familjar dhe asnjë person me lidhje të afërta me mua nuk ka tentuar të më ndikojë në ushtrimin e detyrës. Në kërkesë nuk ka asnjë provë që sugjeron një veprim specifik nga ana ime, por vetëm aludime subjektive të palëve të treta”, shprehet ajo.
“Duke pasur parasysh këto kritere, çmoj se funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese nuk vihet në rrezik për shkak të mungesës së kuorumit, gjë që më lejon të vlerësoj kriterin e dytë dhe të tretë. Reputacioni i Gjykatës është thelbësor, edhe nëse cenohen padrejtësisht të drejtat e mia individuale, më e rëndësishme është siguria e kërkuesit dhe publikut që gjykimi është i drejtë dhe i paanshëm”, argumenton Marsida Xhaferllari.
“Duke mbajtur në konsideratë lidhjen që çështja e kërkuesit ka me çështjen tjetër kushtetuese, të paraqitur nga ankuesi Sali Berisha për kundërshtimin e vendimmarrjes së gjykatave të juridiksionit të zakonshëm për caktimin e masave të sigurimit ndaj tij, ju lutem konsideroni se deklaroj për të njëjtat shkaqe heqjen dorë edhe prej saj”.
(BalkanWeb)