Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, raportoi të enjten The Times of Israel, duke cituar ndihmësin e lartë të kryeministrit.
Trump do të betohet zyrtarisht si presidenti i 47-të i SHBA më 20 janar në Kapitol në Uashington, DC. Udhëheqësi izraelit pritej të merrte pjesë në këtë ngjarje.
Ndihmësi i lartë i Netanyahut nuk dha detaje se pse u anulua udhëtimi. Megjithatë, disa raporte të mediave cituan operacionin e fundit të kryeministrit izraelit në prostatë , duke pretenduar se Netanyahu ishte këshilluar të pushonte pas trajtimit mjekësor.
Udhëtimi i anuluar tashmë në Uashington do të ishte udhëtimi i parë i Netanyahut jashtë vendit që kur u lëshua një urdhër arresti kundër tij nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC).
Në nëntor, ICC lëshoi urdhër për arrestimin e Netanyahut dhe ish-ministrit izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant, duke përmendur krimet e dyshuara të luftës në lidhje me konfliktin në Gaza. Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Vendimi i ICC-së ngjalli reagime të ndryshme në mbarë botën, me disa vende që shprehën synimin e tyre për të respektuar direktivat e gjykatës, pavarësisht nga imuniteti diplomatik. Hungaria, e cila është nënshkruese e Statutit të Romës, tha se nuk do ta zbatonte urdhërin. SHBA, e cila nuk është palë e GJNP-së, ka denoncuar urdhrin për arrestimin e Netanyahut.