Vota e Diasporës është kryefjala e organizimit politik të Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 11 Janarit. Të shtunën më 11 janar nis zyrtarisht regjistrimi i shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit të vendit në platformën e ngritur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Për të forcuar lidhjet dhe për të nxitur më shumë diasporën të jetë pjesë e zgjedhjeve, mësohet se këtë fundjavë një pjesë e drejtuesve politikë do të udhëtojnë jashtë vendit, në ato shtete ku numri i emigrantëve shqiptarë është më i madh, si në Greqi dhe Itali.
Për të analizuar punën që po bëhet me diasporën, kryetari socialist Edi Rama mblodhi mëngjesin e kësaj të enjteje në selinë e PS-së drejtuesit politik të qarqeve, ku secili ka raportuar për punën që po kryhet në terren.
Në mbledhje është diskutuar edhe mbi përgatitjet për fushatën zgjedhore, ku rëndësi të veçantë ka lista e kandidatëve për deputetë me të cilën PS do garojë.
Gjatë mbledhjes me drejtuesit politikë, mësohet se është diskutuar vetëm në parim mbi hartimin e listës. Diskutim vetëm mbi kriteret për pjesën e mbyllur dhe atë të hapur të listës së kandidatëve, pa përmendur emra konkrete.
Nisur nga çfarë ka deklaruar kryesocialisti Rama në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të shtatorit të kaluar, në listën e kandidatëve pritet të ketë shumë figura të reja. Madje në PS është çelur edhe platforma “Deputeti që Duam”, ku mund aplikojnë qytetarë të ndryshëm, të cilët pas një procesi përgjedhje mund të jenë në listën socialiste të kandidatëve për deputetë.
(BalkanWeb)