Ndeshja Vllaznia-Tirana ngelet si më e ndjera për të gjithë ambientin e futbollit në Shkodër. Pavarësisht se ndoshta klasikja në vitet e fundit e ka humbur disi “sharmin” edicioneve të shkuara, mbetet dueli më i rëndësishëm i sezonit.

Kjo edhe pavarësisht formës dhe gjendjes momentale të ekipeve, në fushë pritet një duel “zjarri” nga ana e dy skuadrave. Për këtë arsye nga ajo çfarë mëson “Panorama Sport” interesi i tifozërisë shkodrane është më i lartë se zakonisht për këtë 90-minutësh. Numri i të pranishmëve në shkallët e “Loro Boriçit” pritet të jetë më i larti deri në këto momente të këtij sezoni në Superiore.

Ku edhe tifo grupi “Vllaznit ultras” të kuqebluve po organizohen për duelin ndaj rivalëve të përjetshëm. Mbështetësit më të “zjarrtë” kuqeblu priten me një performancë ndryshe dhe me surpriza për duelin ndaj kryeqytetasve. E ndërsa pritet që përveç spektaklit që mund të dhurojnë dy skuadrat në fushën e lojës, atmosfera pritet të jetë edhe më e “ngrohtë” në stadium në ndeshjen e parë të vitit 2025 për dy skuadrat më të vjetra në vend.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb