NGA FRANZ-LLESH GRISHAJ
Pjesa e dytë
-SHKRELI DHE ROLI I TIJ NË KRYENGRITJEN ANTIKOMUNISTE TË MALËSISË SË MADHE, TË VITIT 1945 –
Memorie.al / Si mbas Frederick Douglass, “e vërteta asht e përshtatshme dhe e bukur ne çdo kohë dhe në çdo vend”. Por për fat të keq, kjo e vërtetë kje e kundërta në shtetin tonë Amë dhe nëpër viset tjera shqiptare, nën sundimet shoviniste greke dhe sllavo-komuniste-jugosllave. E vërteta historike, jo vetëm që është mohue e lanë n’erresinë por, ashtë edhe shtremnue në një mënyrë të pafalshme. Për shembull, dokumenti i Shpalljes se Pavarësisë Shqiptare, të vitit 1912, falsifikohet nga historiografët e Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipnisë, tue mbulue firmat e Mid’hat Frashërit, Lef Nosit dhe Mustafa Merlika Krujës.
Një pjesë e partizanëve sulmuen dhe të dy palët u ndeshën grykë për gryke. Në pushkët e para, u plagosen Pjetër Gjokë Hoti (nipi i Gjon Martin Lulati, i cili mbas disa ditëve, vdiq në Bajzë), Gjosh Nika me dy partizanë të tjerë, mbetën të plagosun. Mbas një luftimi të rrept, fuqitë partizane u thyen dhe për shpetim, afër pesëmbëdhjetë ushtare, u futën nëpër shtëpitë e Grishajve dhe u dorëzuan. Llesh Marashi urdhëroi qe t’u merren armët dhe të lihen të lirë. Thuhet, se disa prej tyne shkuen me fuqit e kryengritjes, për në Bajze (marrë prej Llesh Luket Grishaj që ishte një ndër ata që furnizonte bashkë me familje luftëtarët e lirisë dhe ai vetë e përjetoi këtë ngjarje
Kështu e filloi kryengritja antikomuniste e Malësisë së Madhe me 23 kallnuer te vitit 1945. Forcat e kryengritjes zbritën në Bajzë, ku mbas një përpjekjeje t’ashper, morën post-komandën ku Zef Tomë Ceka i Shkrelit, u vra ballë-përballë me Januz Naçin. Edhe Lulash Cuk Curanaj (Uldedaj-Bajzë), mbet i vdekun. Mbas marrjes se post-komandës, luftëtarët e lirisë u grumulluen te oborri i kishës së Bajzës, ku franceskani patriot, Pater Ciril Cani, rrahu kumbonet e kishës në shenjë kushtrimit dhe i bani lutje Zotit, me iu pri mbarë forcave nacionaliste. Në të njëjtën kohë, edhe me bekimin e famullitarit te Shkrelit, Dom Nikollë Gazullit, Kolë Nikë Prela Marcinaj (Cekdedaj-Bzhetë), u ra kumonëve për me mobilizue Shkrelin në luftë.
Burrat e Shkrelit, u nisën për me u bashkue me forcat e kryengritjes në Koplik. Tue ditë rrezikun, komisari i rrethit te Malësisë së Madhe, Çun Januzi (i biri i Januz Naçit), u nis për në Shkodër, për me i përballue kryengritësit. Mbas një qëndrese në Koplik, këta u nisën për në Shkodër. Forcat partizane, lajmërue prej Çun Januzit, zunë pozicion te Ura e Rrjollit. Aty u zhvillue beteja ma e ashpër dhe vendimtare për kryengritjen, ku trimënisht u vranë Gjon Martin Lulati dhe Mirotë Paloka, dhe u plagosen shumë të tjerë. Ndërkohë, te kisha e Shkrelit, luftoi Marash Tomë Gjeloshi (Makaj-Bzhetë), kundra një toge te Forcave të Ndjekjes dhe u vra tue luftue me gjithë Luigj Kolë Shetajn, Mirash Gjonin e Prekë Kolën. Mbas luftimesh të rrepta, kryengritësit u tërhoqën në male, ku kishin shpresë se vëllaznit e tyne malësorë, me gjithë forca të tjera nacionaliste te Shkodrës dhe krahina tjera, do te organizoheshin për një kundërsulm, edhe pse kryengritja filloi parakohet.
Në këtë kohë, si mbas Vasel Pjetër Gjokës, disa luftëtarë të Hotit, ishin pregaditë për me u hjedhë në luftë, por Kadri Deli Meta (Bajraktari i Hotit), nuk i la me marrë pjesë, tue thanë: “Na jemi tue u mundue me i ndalë vrasjet, e kush e ka fillue, e pastë për vedi, e ju ne me ndigjoshi mue, nuk shkoni në at vend”. Porosia e Kadriut kje e randë edhe për Hotin, sepse ai nuk mori parasysh se trimi i shtëpisë se Dedë Gjo’ Lulit, Gjelosh Luli, ishte në bashkpunin me mikun e tij të ngushtë, Llesh Marashin, kundra komunizmit. Rrjedhimisht, ai qëndroi në Kastrat i strehuem te probatimi i tij, Marash Doda dhe në Traboin, te vllaznit, Mark e Kolë Miri (Dedvukaj-Hot). Këtu forcat e Toger Babës, torturuen Kolë Mirin, tue pjekë në hell, për me gjetë prej tij, se ku ishte Gjelosh Luli, dhe vetëm me ndihmën guximtare te trimit Marash Lushk Gjoni (Dushaj-Hot), Kolë Miri, muejti me u ikë prej durve të tyne.
Në mal qendruen luftëtarët e Shkrelit dhe të Kastratit. Si ndeshkim për pushkët e para që krisen në shtëpinë e Luket Marashit, Çun Jonuzi çoi vëllanë e tij, Çelën, misioni i të cilit ishte me e burgosë familjen e Luketës, së bashkut me gjithë robët e axhave të tij (Zef e Franë Luca). Ata plaçkiten dhe djegën shtëpinë, sikurse pat ba turku më 1911-ën dhe shkjau me 1913-ën. Shtëpia e Luket Marashitn kje e parë në Shkrel dhe Kastratn së cilës komunistat ia vunë zjarrin, për të cilin shkrimtari dhe historiani i njohur Uran Butka, ka shkruar: “Vullkan u pa shtëpia e Luket Marashit, që ishte një potencial i madh bese e burrërie, në Malësinë e Madhe”. Kështu filloi hakmarrja ndaj Malësisë së Madhe!
Viti i 1945, kje i vështirë edhe për atë pjesë të Malësisë së mbi Shkodrës, që mbetën nën okupacionin Malazias, sidomos për Hotin dhe Grudën, ku për të nënshtrue malësorët, Bajo Stankoviqi do të bashkpunonte me Toger Babën dhe me Petro Bullatoviqin, komunistët jugosllavë do te këndonin, “Tito-Enver-Stalin, Trisine”, kurse komunistët shqiptarë, “Enver-Tito-Stalin, jemi të gjithë për një betim”! Bajo Stankoviqi, qe kishte danën e hekurt kundra kësaj zone, filloi me arrestue malësorët. I biri i Prekë Tomë Ujkes (Selisht-Grudë), Luc Preka Lulgjuraj, me kushrinin e tij, Mirash Zef Kola, u kthyen prej Kelmendit (ku ishin luftëtarë vullnetarë) dhe dhanë kushtrimin për me ndihmue vllaznitë malësorë të Kelmendit, Shkrelit dhe Kastratit. Në atë kohë, vdiq Shab Smaku Berisha dhe në hatrin e tij në Priften-Grudë, u caktue një bashkim për me bisedue për luftimet qi ishin zhvillue kundra komunizmit në Malësinë e Madhe dhe viset tjera në Shqipni.
Dhe në këtë hater, Luc Preka Lulgjuraj, lexoi letrën e Prekë Calit, që mes të tjerash thoshte; “Kush e nie vetin shqiptar dhe beson në Zotin, i baj thirrje te dalin në nime Kelmendit dhe te Malësisë së Madhe, kundër komunizmit”. Për fat të keq, rrethanat kjenë faktori për të cilin paria e Grudës dhe e Hotit, nuk muejti me marrë pjesë në këtë bisedim, sepse ishin ndërmjet dy zjarresh. Nji pjesë e Rapshes dhe krejt Troboini, me gjithë Grudën, mbeten prap nën-pushtimin jugosllav, ku Bajo Stankoviqi, me partizanët e tij, terrorizuen malësorët, ndërsa n’anën tjetër kjenë Toger Baba me gjithë jugosllavin Petro Bullatoviq. Kështu, aleanca e pathyeshme gjatë pesë shekujsh e, nëpërmjet luftnash të përgjakshme për lirinë dhe integritetin tokësor shqiptar, u këput në Malësinë e Madhe!
Në fruer t’atij viti, komunistat jugosllavë arrestuen famullitarin e Traboinit, At Leonard Tagaj (i quejtun Patër Zefi nga malësorët), me Pjetër Zekun Camajn (kushëri me Smajl Mark Lulin) dhe Vasel Mirash Camajn (Vojvoda i Vuksanajve). Këta u pushkatuan pa proçes juridik. Fillë mbas këtyne, Gjelosh “Losh” Gjokë Lajcaj (djali i hallës, i Luket Marashit) shkoi në Selisht të kumbara i tij dhe dashamir i Luketës, Zef Miliqi Lulgjuraj, me qëllim për me strehue dy djemtë e Luketës (Palokën dhe Dedën) dhe kushrinin e tij (Prel Franë Grishajn), qe ishin në Hot. Edhe këtu, Bajo Stankoviqi arrestoi në Selisht Luc Prekën për veprimtarinë e tij antikomuniste, bashkë me dy vëllaznit e tij, Dodë dhe Gjergj Lulgjuraj, Kolë Gjel Cakun (Ujkaj-Trepsh), dhe Zef Miliqin e Gjelosh Gjokë Lajçajn dhe i pushktatuen të gjithë pa gjyq, te kisha e Grudës (këtë ngjarje e dijmë prej nipit te Gjelosh Gjokës, Vasel Pjetër Lajçaj).
Si shënim, vlenë për t’u përmendë, se në kohën e Inform-Byrosë, Bajo Stankoviqi kërkon strehim politik në Shqipni dhe Enver Hoxha menjëherë e pranoi, tue shperblye barbarizmin e tij ndaj shqiptarëve nën Mal të Zi dhe e emnoi Kryetar i Zyrës se Refugjatëve të nënshtetasve jugosllavë në Shqipni, ku pjesa dermuese kjenë shqiptarë. Në pranverë, po t’vitit 1945, Toger Baba i shoqnuem nga partizani i vendit, Nikollë Mirash Gjonaj, shkoi në Drume-Hot, tue kerkue me arrestue shkodranin Gjysh Pistullin me Vasel Pjetër Gjonaj. Në mënyrë barbare, u torturuen Marash Uc Gjonaj, Franë Pjetër Gjonaj (vëllaun e Vaselit), Lene Kolën Gjonaj (kushrina e Vaselit), dhe u muer në hetusi, Gjeto Dedë Vatë Gjonaj.
Gjatë viteve 1945-’46, kishin mbetë vetëm disa çeta luftare, që ndiqeshin prej forcave komuniste. Të tjerët u pushkatuen, u burgosen, u internuen, ose prej rrethanavet te njohuna, u dorëzuen. Në fillim te vjetit 1946, Prekë Lekë Gjoni, me vëllanë Pashkun, u rrethuen nga brigada partizane, por nuk u dorëzuen dhe në Bjeshkë, mbi Kronin e Kurriles së Dedajve, u vranë, mbasi qendruen heroikisht. Po atë vit, dijetari dhe patrioti Dom Nikollë Gazulli, u vra prej forcave te Sigurimit Shtetit. Gazeta komuniste “Koha e Re” e Shkodrës, trumbetoi; “Me datën 23 mars 1946, vritet Dom Nikollë Gazulli, në Sukë te Madhe, Katundi i Kastratit në Nën/Prefekturën e Koplikut, bashkëpuntor i Llesh Marashit, tradhtar i popullit”.
Për 18 muej rresht, Luket Marashi qëndroi në rezistencë, për mos ra në duert e Sigurimit të Shtetit. Një ndihmë të madhe për qëndresën e Luketës, dhanë miqtë e tij, shpeshherë tue e strehue dhe tue e furnizue me ushqime. Në një rrethim te Forcave Ndjekëse në Kastrat, ai u plagos, tue ça rrethimin. Trupi i tij, gjysëm i dekompozum, u gjet të Premtën e Madhe, 1946, tek brija e Kastratit, në Gurët e Bardhë, prej kushëririt të tij, Gjon Zefi, bashkë me të atin, Zef Luca (axha i Luketës). Në arrati qendruen edhe Llesh Marashi me Pjetër Gjokë Bajraktarin dhe Rrok Kantin, me bazë në Bjeshkët e Vrrithit. Këtu Forcat e Ndjekjës, i zbuluen dhe i rrethuen. Pjetër Gjokë Bajraktari, u plagos randë, Rrok Kanti, tentoi me vra veten, për mos me u dorëzue. Lleshi u dorëzue me kusht, qe mos ta vrisnin Pjetrin e Rrokun.
Mbas kapjes se tyne, gazeta “Koha e Re’ njoftoi lexuesit, se Gjykata Speciale, do te zhvillonte procedurën kundër Llesh Marashit dhe shokëve të tij, t’akuzuem si “tradhtarë” dhe “bashkëpuntorë” me anmiqë të huej. Gjyqi filloi me 10 korrik 1946, në Kinema “Rozafat” dhe përfundoi me 17 Korrik, me këtë vendim: “Llesh Marashi, dënohet me vdekje, me varje në litar”. Ai u var te Dugajat e Reja, në Shkodër. Po me te njajtin vendim, u denue me pushkatim, edhe një prijës tjetër i Shkrelit, Nikollë Prekë Dedaj dhe Dom Alfons Tracki, (famullitari i Velipojës, ku pjesa dërmuese e famullisë ishin Shkrelas, t’ulun prej malit), si bashkpuntorë i Lleshit.
Me dështimin e Kryengritjes se Malësisë së Madhe, filloi kalvari i Malësisë te mbi-Shkodrës, që mbeti nji ndër krahinat ma të përnjekuna dhe te terrorizume në të gjithë Shqipninë, prej regjimit Stalinist-Enverian. Si përfundim, kujtojmë fjalët e John Adamsit, që tha: “Detyrimet tona ndaj atdheut, nuk pushojnë derisa te jena gjallë”. Dhe, me të vërtetë, shpirti liridashës i malësorit, nuk u perkul, por përkundrazi u ba fli për idealin e naltë të nacionalizmit shqiptar, që do të thotë – ideja Kombëtaro-Shqiptare! Pra, tue i rikujtue edhe njiherë fjalët e Schillenbeeck-ut, e besoi qe ashtë e kjartë, se kush i sherbeu lirisë, kombit, fesë dhe atdheut. I përjetshëm kjoftë kujtimi i tyne!
Lista emnore e dëshmorëve dhe viktimat e komunizmit enverian, të malit t’Shkrelit
Vrrith:
1) Pjetër Gjokë Deda Milaj, Bajraktar, 101 vjet burg.
2) Preq Pjetër Vulaj, vdekje prej torturave.
3) Mirash Gjoka Arratisë, varrue dhe vdekë në Jugosllavi.
4) Martin Franë Popaj, i vrarë.
5) Kolë Tomë Deda, i vrarë.
6) Gjokë Dedë Milaj, vdekë në internim (Berat).
7) Franë Cul Kroni, 20 vjet burg.
8) Prekë Gjergj Milaj, 10 vjet burg.
9) Pjetër Prekë Pacaj, burgim, djegë shtëpia.
10) Gjergj Kolë Luca, burgim.
11) Gjeto Prekë Ramaj, burgim.
12) Lukë Mac Tucaj, burgim.
Bzhete:
1) Mark Tomë Gjeloshi (Makaj), vrarë në rezistencë.
2) Nikollë Zef Patanaj, vrarë me forcat partizane.
3) Prel Tomë Makaj, 101 vjet burg.
4) Kolë Nikë Marcinaj, dënue 25 vjet, vdekë në burg.
5) Gjon Lekë Mirukaj, dënue 20 vjet, torturohet, vdes në burg.
6) Zef Murran Luca, 25 vjet burg.
7) Franë Zef K. Gjeli, 25 vjet burg.
8) Gjeto Lekë Miruka, 25 vjet burg.
9) Prel Tomë Gjeloshaj, 20 vjet burg.
10) Pjetër Lekë Mirukaj, 20 vjet burg
11) Gjokë Zef Cekaj, 15 vjet burg.
12) Marash Zef Cekaj, 10 vjet burg.
13) Gjelosh Nikë Vukelaj, 5 vjet burg.
14) Pashko Vat Malota, burgim, djeg shtëpia.
15) Tomë Franë Brrakaj, burgim.
16) Prel Vat Malotaj, burgim.
17) Lulash Palok Vrucaj, burgim.
18) Tereze Prekë Xhaj, torturohet në mënyrë çnjerëzore, dhe
(motra e Nikollë Prekë Dedaj), qëndron heroikisht, nuk e tregon vëllanë.
Dedaj:
Nikollë Prekë Dedaj, pushkatue me Dom Alfons Tracki, etj.
Gjokë Koka, pushkatue.
3) Prekë Gjon Dedaj, pushkatue.
4) Mirash Gj. Sokolaj, pushkatue.
5) Pjetër Kolë Sokolaj, pushkatue.
6) Mark S. Sokolaj, 20 vjet burg, djegë shtëpia.
7) Marash Kolë Mali, vojvodë, 3 vjet burg.
8) Marash Kolë Staka, burgim.
9) Kolë Tomë Staka, burgim, djegë shtëpia.
10) Gjelosh Martini, burgim.
11) Zef Mali, burgim.
12) Gjek M. Sokoli, burgim.
13) Rrok Nikollë Zefi, burgim.
Zagorë:
1) Major Llesh Marashi, varje në konop, djegë shtëpia.
2) Luket Marash Grishaj, vra në mal, djegë shtëpia.
3) Prekë Lekë Kolaj, vra në mal, djegë shtëpia.
4) Pashko Lekë Kolaj, vra në mal.
5) Dan Coli Vucaj, vra prej partizanëve (Kisha e Lezhës).
6) Franë Pjetër Marashi, pushkatue.
7) Ndue Gjelosh Marashi, pushkatue.
8) Nrekë Pjetër Zef Culaj, pushkatue.
9) Mark Gjokë Leknikaj, vdekë në burg.
10) Rexhë Mehmet Vucaj, vdekë në burg.
11) Gjelosh Marashi, 101 vjet burg.
12) Edvard Llesh Marashi, burg, lirohet pasi i presin dy këmbet.
13) Rrok Kanto Marashi, 10 vjet burg, internim deri në 1990.
14) Pjetër Marashi, burgosë, vdes pas daljes nga burgu.
15) Mark Gjelosh Marashi, 10 vjet burg.
16) Kolë Nikë Colaj, 10 vjet burg.
17) Mirash Prec Grishaj, 10 vjet burg.
18) Prel Gjelosh Marashi, 7 vjet burg.
19) Gjelosh Ndoc Marashi, 7 vjet burg.
20) Marash Vat Gjelosh Marashi, 7 vjet burg.
21) Franë Luc Grishaj Burgim, torturue, 3 vjet burg.
22) Brahim Xhigji Vucaj, burgim.
23) Sadri Zekë Leknikaj, burgim.
24) Dyl Qerim Leknikaj, burgim.
25) Prec Curri Grishaj, burgim.
26) Zef Luc Grishaj, burgim.
27) Prel Franë Grishaj, burgim.
28) Palok Luket Grishaj, burgim, internim.
29) Dedë Luket Grishaj, burgim.
30) Familja e Llesh Marashit (gra e fëmijë), internim në Berat (afër 2 vjet).
31) Familja e Luket Marashit (gra e fëmijë), burgosun në burgun e Shkodrës dhe internim në Berat (së bashku 16 mujë).
32) Familjet e Zef e Franë Luc Grishaj (gra e fëmijë), burgosun në burgun e Shkodrës.
33) Palok Luket Grishaj, internohet për të dytën herë në Saver, prej vitit 1957 deri 1990 (internim me familja), ku edhe vdes në internim.
Famullitari i Kishës Shkrelit:
1) Dom Nikollë Gazulli, vrarë nga Forcat e Ndjekjës në 1946.
Meshtarët që i sherbyn famullisë së Shkrelit dhe vdiqën nga Komunizmi:
1) Dom Ndre Zadeja, pushkatue në vitin 1945.
2) Dom Gjergj Volaj (Imzot), pushkatue në vitin 1947.
3) Dom Pjetër Quni, vdekë prej torturave në vitin 1948.
4) Dom Aleksander Sirdani, vdekë prej torturave në vitin 1948.
6) Dom Ndoc Nikaj, vdekë në burg në vitin 1951.
7) Dom Pjetër Gruda, vdekë në burg në vitin 1989.
Shënim: Ky shkrim është paraqitur për të parën herë në Simpoziumin Shkencor, për 60 Vjetorin e Rezistencës dhe Kryengritjes anti-komuniste të Malësisë së Madhe, të vitit 1945, në sallën “At Gjergj Fishta”, të Kisha Katolike Shqiptare të Shen Palit në Rochester Hills, Michigan, U. S. A., me 6 fruer 2005. Memorie.al