Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani ka deklaruar se koordinimi midis partnerëve është një element “strategjik” për të arritur paqen dhe stabilitetin në Siri.
Ai këto komente i bëri pasi zhvilloi një takim të Grupit të Quint-it në Itali para udhëtimit të tij në kryeqytetin sirian Damask. Në takim i pranishëm ishte shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas.
“Unë prita partnerët e Quint-it për të bërë një pasqyrë të zhvillimeve më të fundit në Siri përpara nisjes për në Damask”, shkroi Tajani në platformën sociale X.
Quint-i është një grup vendimmarrës joformal i përbërë nga SHBA-ja, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.
“Populli sirian duhet të jetë në gjendje të shpresojë për një të ardhme të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit. Koordinimi dhe kohezioni midis diplomacive tona janë elemente strategjike për të arritur këtë qëllim të përbashkët”, theksoi kryediplomati italian.
Bashar al-Asadi, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, më 8 dhjetor u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut, duke i dhënë fund regjimit prej dekadash të partisë Baath.
Marrja e kontrollit erdhi pasi luftëtarët e grupit Hayat Tahrir al-Sham arritën të marrin kontrollin mbi qytetet kryesore në një ofensivë që zgjati më pak se dy javë.
Një administratë e re e udhëhequr nga Ahmed al-Sharaa tani ka marrë kontrollin e vendit.
Balkan Web