Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në 5 janar në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Zogut të Zi” në Fier, ku një 40-vjeçar u qëllua me armë zjarri. Policia e Fierit ka zbardhur dinamikën e rastit duke theksuar se G.H, 40 vjeç është qëlluar nga 26-vjeçari, Klement Beqaj. BalkanWeb mëson se ky i fundit ishte i dashuri i bashkëshortes së 40-vjeçarit.
Blutë e Fierit bëjnë të ditur se i plagosuri ishte në proces divorci me bashkëshorten e tij, 29-vjeçaren, M.H. E reja dhe autori i plagosjes janë shpallur në kërkim, ndërsa Gjykata e Fierit ka caktuar për ta masën e sigurisë “arrest në burg”, në mungesë.
Ndërkohë, 40-vjeçari ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën, për shkak të plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Reagimi i Policisë së Fierit
Në vijim të informacionit të datës 05.01.2025, mbi plagosjen me armë zjarri të shtetasit G. H., 40 vjeç, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Zogut të Zi”, sqarojmë se si rezultat i veprimeve hetimore u bë shpallja në kërkim e shtetases M. H., 29 vjeçe (bashkëshortja e 40-vjeçarit, me të cilën është në proces për zgjidhjen e martesës). Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e saj, si dhe të autorit të plagosjes, shtetasit K. B., 26 vjeç. Më datë 08.01.2025, për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, përkatësisht për shtetasin K. B., për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, ndërsa për shtetasen M. H., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)