Përkeqësohet gjendja shëndetësore e Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili prej disa ditësh ndodhet i shtruar në spitalin “Evangelismos” në Athinë.

Burime nga spitali bëjnë me dije për mediat greke se Janullatos ka hyrë me urgjencë në sallën e operacionit për shkak të një gjakderdhjeje gastrike.

Kisha Ortodokse njoftoi më herët se gjendja shëndetësore e Kryepeshkopit pësoi një përkeqësim të menjëhershëm dhe se ai u transferua në njësinë e kujdesit intensiv.

“Përditësim i gjendjes shëndetësore të Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit të Shqipërisë, z. Anastas:

Gjendja shëndetësore e Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit të Shqipërisë, z. Anastas, ka pësuar një përkeqësim të menjëhershëm dhe ai është transferuar në njësinë e kujdesit intensiv, ku ndodhet i intubuar. Nga administrata e spitalit”, thuhet në njoftimin e Kishës Ortodokse.

Kryepeshkopi Anastas Janullatos u transferua më 3 janar nga Tirana në spitalin “Evangelismos” në Athinë me një avion të Forcave Ajrore të Greqisë.

Kryepeshkopi 95-vjeçar, i cili kishte shfaqur simptoma të virusit ditët e fundit, u shtrua fillimisht në një spital privat në kryeqytet më 30 dhjetor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb