Sekretari për Çështjet Ekonomike dhe Financat në Partinë e Lirisë, Petraq Milo, i ftuar në studion e News24, ka shprehur shqetësimin për mungesën e pritshme të përmirësimeve ekonomike në vitin 2025. Sipas tij, viti zgjedhor do të përqendrojë vëmendjen e mazhorancës te procesi zgjedhor dhe jo te progresi ekonomik.
“Fondet e buxhetit pritet të përdoren për fushatë, duke lënë pas dore nevojat e komunitetit,” deklaroi Milo. Ai theksoi se raporti i fundit i Bankës Botërore tregon një përkeqësim të disa treguesve kyç ekonomikë.
Milo paralajmëroi për ulje të eksporteve dhe importeve, një zhvillim që e cilësoi “alarmant.” Ai shtoi se niveli i varfërisë në Shqipëri mbetet i lartë dhe nuk ka shenja për përmirësim.
“Shqipëria mban vendin e parë për nivelin e varfërisë sipas matjeve të Bankës Botërore,” u shpreh ai, duke theksuar mungesën e konvergjencës ekonomike.
Ai vuri në dukje se investimet e huaja pritet të tkurren me një diferencë të theksuar krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
Sipas Milos, kjo tregon një fokus më të madh në interesat politike dhe elektorale të mazhorancës, duke anashkaluar përparësitë ekonomike dhe sociale.
“Nuk ka shumë gjasa të kemi ndonjë përmirësim në ekonomi në vitin 2025 për shkak se jemi në një vit zgjedhor. Fokusi do të jetë për mazhorancën procesi i zgjedhjeve dhe jo për të pasur një përparim ekonomik, përkundrazi do të përdoren fondet e buxhetit për fushatë. Raporti i Bankës Botërore tregon një përkeqësim të disa treguesve, nisur nga eksportet që parashikohet të jenë më të ulëta, niveli i importit do të ulet po ashtu, gjë që është alarmante. Niveli i varfërisë nuk bie, nuk ka një konvergjencë. Në matjen e Bankës Botërore Shqipëria ka vendin e parë. Investimet e huaja do të tkurren me diferencë të theksuar me vendet e rajonit. Më shumë do të jetë një vit në shërbim të fushatës elektorale se sa në shërbim të komunitetit”, u shpreh ai.