Ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, i ftuar në emisionin Log. në News24, vuri në dukje interesin e shtuar të partive politike për votën e emigrantëve. Megjithatë, ai shprehu skepticizëm për ndikimin e saj në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Sipas Kumes, vota e diasporës nuk u implementua në zgjedhjet e vitit 2021 për shkak të mungesës së vullnetit nga mazhoranca. “Mazhoranca nuk e dëshironte atëherë, por tani partia në pushtet e ka mundësuar këtë votë, pasi synon të rikuperojë mbështetjen që ka humbur gjatë mandatit të tretë,” tha Kume.

Duke iu referuar Partisë Demokratike, Kume paralajmëroi që kjo parti të mos e konsiderojë të sigurt mbështetjen e emigrantëve. “Nuk duhet të supozojnë se emigrantët do të votojnë automatikisht për PD-në, duke menduar se largimi i tyre nga vendi ka ardhur për shkak të keqqeverisjes së Ramës,” theksoi ai.

“Nuk e gjej dot sesi do të ndikojë vota e emigrantëve. Por ta them me bindje të plotë se i kanë hedhur sytë mirë te votat e shtetasve emigrantëve, veçanërisht PS, duke vlerësuar në vlerësimin e saj elektoral, faktin që atë çfarë ka humbur dhe i ka rrjedhur gjatë qeverisjes, ta rikuperojë me votat që ka humbur brenda.

Pse u bë tani? Në 2021 nuk u bë sepse mazhoranca nuk donte, ndërsa tani e bën sepse do të plotësojë boshllëkun e votës që i ka rrjedhur gjatë qeverisjes së mandatit. Një pjesë e madhe janë votat e tyre që herë votojnë njërën palë, herë tjetrën.

Nëse PD mendon kështu, se e kanë të sigurt se do të marrin votat, s’kanë për të marrë asgjë. Por do t’i përgjigjen me aksion politik”, tha Kume.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb