Nicolas Maduro u betua si president i Venezuelës për një mandat të tretë, duke u zotuar se do të ketë një periudhë paqeje dhe demokracie.
Maduro bëri betimin para kreut të Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, i cili i vendosi brezin presidencial. Kjo ceremoni u zhvillua dy orë më herët se sa ishte planifikuar dhe zgjati rreth gjysmë ore.
“Betohem para kësaj Kushtetute se do të përmbush të gjitha mandatet e saj, se do të përmbush të gjitha detyrimet e saj dhe të ligjeve të Republikës dhe se ky mandat i ri presidencial do të jetë periudha e paqes, prosperitetit, barazisë dhe demokracisë së re”, tha Maduro në Sallën Eliptico.
Të pranishëm në ceremoni ishin presidenti i Nikaraguas, Daniel Ortega dhe presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Canel. Qeveria e Brazilit u përfaqësua nga ambasadorja e saj në Karakas, Glivania Maria de Oliveira.
“Askush të mos ngatërrohet me popullin e Venezuelës. Unë thashë se do të ketë paqe, ka dhe do të ketë paqe. Ne jemi luftëtarë të historisë dhe do të garantojmë paqen dhe sovranitetin kombëtar, përgjithmonë”,theksoi Maduro, i cili pretendoi se ai ndihej i emocionuar.
Maduro po përballet me akuza për mashtrim nga opozita, e cila pretendon fitoren e kandidatit Edmundo Gonzalez Urrutia në zgjedhjet e 28 korrikut 2024.
Presidenti Maduro ka shërbyer si president që nga 14 prilli 2013.
(Balkan Web)