Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes me AADF (Albanian-American Development Foundation) për rijetëzimin e kalasë së qytetit në Elbasan.
Kreu i qeverisë u shpreh se Elbasani ka një potencial i cili deri tani ka mbetur i pashfrytëzuar, duke bërë edhe krahasimin me Beratin, ku numri i turistëve në kala ka kaluar 100 mijë. Në kontrast, Elbasani ka vetëm 20-25 mijë vizitorë në vit, nga të cilët rreth 4 mijë vizitojnë kalanë e qytetit.
Rama shprehu bindjen se këto shifra do të ndryshojnë rrënjësisht pas realizimit të projektit për transformimin e kalasë së Elbasanit.
“Ndërkohë që Berati e ka nisur procesin e rilindjes dhe transformimit në funksionit të turizmit dhe e ka kthyer në funksion dhe ka arritur në 800 mije vizitor dhe turist, Elbasani sot që flasim është në rendin 20-25 mijë vizitor turistë. Ndërkohë që turistët në kalanë e Beratit kanë kohë që kanë kapërcyer numrin e 100 mijë në kalanë e Elbasanit janë rreth 4 mije, këto shifra do të përmbysen shumë shpejtë me projektin e kalasë. Kalaja e Elbasanit ka një histori dhe disa përbërës që kanë potencial të jashtëzakonshëm por ka dhe shumë element të tjerë. Por nëse do bëjmë një projekt në kohën e duhur atëherë do të kemi një rritje të numrit të vizitorëve brenda në lagje dhe kjo do të bëj që vlera e shtëpive të rritet. Në Elbasan të kemi një pol të ri të Tiranës metropol”. U shpreh Rama.