Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich ka deklaruar se ata do të reduktojnë hyrjet e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës në nivelin minimal pasi presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së Donald Trump të marrë detyrën.
Smotrich tha se pasi Trump të betohet si president i SHBA-së më 20 janar, administrata izraelite do të reduktojë ndihmën humanitare për Gazën në nivelin minimal të kërkuar nga ligji ndërkombëtar.
“Izraeli duhet të qëndrojë në Gaza për një kohë shumë të gjatë. Ne duhet të ndalojmë së frikësuari nga fjala pushtim”, u shpreh Smotrich.
Duke pretenduar se përpjekjet për të përfshirë Autoritetin Palestinez dhe shtetet arabe në administrimin e Gazës pas tërheqjes së ushtrisë izraelite janë joreale, sipas Smotrich nuk ka asnjë palë tjetër që të derdhë gjak për ne.
“Ne jemi gati për një qasje të ndryshme, për të pushtuar, mbajtur dhe ndarë Rripin e Gazës në zona”, theksoi ministri izraelit.
Ministri izraelit gjithashtu shtoi se ai nuk beson se mund të mbahen negociata me Hamasin, si dhe pretendoi se Izraeli do të ketë një vend më të fortë në tryezën e bisedimeve pasi Trump të marrë detyrën si president i SHBA-së më 20 janar.
Thuhet se administrata e Tel Avivit ka penguar në masë të madhe hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, e cila është nën sulme izraelite që nga 7 tetori i vitit 2023.
(Balkan Web)