Protestuesit u mblodhën në Bratisllavë dhe qytete të tjera të Sllovakisë më 10 janar për të protestuar kundër përpjekjeve të Qeverisë për të kërkuar raporte më të ngushta me Rusinë, pavarësisht se Moska ka nisur më 2022 pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Kryeministri nacionalist sllovak, Robert Fico, është një nga aleatët e pakët që Kremlini ka brenda Bashkimit Evropian, i cili ka afruar Bratisllavën me Moskën që kur është rikthyer në pushtet më 2023.

Ai së fundi ka udhëtuar për në Moskë për të siguruar furnizime me gaz për konsum në shtetin e tij, pasi Ukraina vendosi që të ndalte rrjedhën e gazit rus përmes territorit të saj për në Evropë.

Mijëra protestuan në qendër të Bratisllavës duke brohoritur “Ne jemi Evropë”, “Turpërohemi nga Fico” dhe “Nuk do të heqim dorë nga Sllovakia”.

Mediat kanë raportuar se protesta janë mbajtur në dhjetëra qytete sllovake. Fico theksoi  në Parlament të premten se presidenti rus, Vladimir Putin, të cilin ai e ka takuar, ka garantuar furnizime me gaz për Sllovakinë. Ai e ka përshkruar Moskën si një furnizuese të besueshme.

“Rusia është një mbështetës i Sllovakisë dhe një ndihmë e jashtëzakonshme në lidhje me temën e gazit dhe aleat i shtetit tonë dhe do vazhdojë të jetë dhe në të ardhmen”. theksoi Fico

Evropa ende furnizohet me gaz rus përmes gazsjellësit Rrjedha Turke, por edhe furnizohet me gaz të lëngshëm natyror që transportohet përmes anijeve.

Kreu i shtetit sllovak  ndërpreu ndihmën ushtarake për Ukrainën kur mori udhëheqjen e qeverisë në tetor të vitit 2023.

 

(Balkan Web)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: