Ndeshja e së shtunës kundër Partizanit për Skënderbeun është e vështirë dhe shumë e rëndësishme për të mbajtur gjallë shpresat e ngjitjes në renditje.
Ndaj, edhe për këtë korçarët e kanë vlerësuar maksimalisht dhe janë gati për të luajtur takimin e parë të vitit 2025. Gjatë një jave përgatitjesh intensive në Durrës, trajneri Ernest Gjoka është kujdesur që të punojë jo vetëm me përgatitjen fizike të lojtarëve për këtë ndeshje, por edhe për të injektuar tek ata profilin e fituesit, atë që Skënderbeu e ka humbur prej tre muajsh tashmë.
Ndaj për këtë arsye numri një i pankinës korçare ka vendosur që tu bëje me dije të tijve për të mbajtur lart përqendrimin dhe dëshirën për të bërë mirë me qëllim që në “Arenën e Demave” të bëjnë një paraqitje dinjitoze dhe pse jo të dalin edhe me pikë nga kjo transfertë.
Gjoka ka kërkuar vetëmotivim nga të tijtë dhe dëshirë për të fituar, duke lënë mënjanë problemet e hasura në muajt e fundit. Trajneri kryeqytetas ka bërë edhe analizën e ekipit kundërshtar duke detajuar para lojtarëve se cilat janë pikat e forta për Partizanin por edhe problemet e kundërshtarit. Sigurisht qe për ta bërë një gjë të tillë numri një i pankinës ka nevojë për mbështetje maksimale nga lojtarët që duhet të dinë të sakrifikojnë dhe të bëjnë ndeshjen më të mirë të mundshme në një transfertë delikate si ajo ndaj Partizanit.
MUNGESAT – Pavarësisht se dy afrime mund të quhen të mbyllura për Skënderbeun në këtë moment transferimesh, si portugezi Estrela, ashtu edhe sulmuesi brazilian, nuk do të jenë të gatshëm për këtë takim ndaj Partizanit. Nga njëra anë ajo që pengon bashkimin me grupin të dy lojtarëve është koha e pakët në dispozicion si dhe nga ana tjetër, procedurat e mbylljes së dokumentacioneve përkatëse për të bërë edhe federimin e dy lojtarëve të parë që janë afruar.
FORMACIONI – Nisur nga kjo, duket se trajneri do të vijojë të mbështetet tek ekipi i vjetër, që ka mbyllur vitin 2024 me korçarët. Ndaj edhe për këtë porta do të jetë sërish pronë e Alias, teksa nga krahët e mbrojtjes do të luajnë nga minuta e parë Doka në të djathtë dhe Vangjeli në të majtë. Mesin e fushës pritet që ta plotësojë dyshja e formuar nga Randi dhe kapiteni Prençi. Në mesin e fushës Rabiu do të jetë në pozicionin e ekranit teksa së bashku me të në këtë repart do të luajë Janaqi dhe Juri që duket se ka fituar terren para Frenklin. Në sulm Balaj dhe Rashica do të mbështesin Bismark në majë të ofensivës.