Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në emisionin Kjo javë në News 24 tha se opozita e vendit nuk është e zonja që ta lëvizë popullin. Lubonja theksoi se kryeministri Rama luan me dy porta, kur bën deklaratat e tij politike. Ai tha se beson se Rama do rrijë në pushtet sa të jetë gjallë, pasi është i detyruar të veprojë kështu.
“Që nuk do kishte qeveri teknike ishte e qartë, që opozita nuk kishte fuqi të lëvizë popullin për të pasur qeveri teknike prapë ishte e qartë. Opozita s’është e zonja të lëvizë popullin. Opozita kërkon qeveri teknike, për të futur entuziazëm në fushatë. Në një vend normal demokratik, partitë e reja duhet të merrnin shumicën e votave. Në Shqipëri nuk ka demokraci, këtu votat rrëmbehen. Nëse Rama merr më tepër vota se partitë të gjitha së bashku, vërtetohet teza se këtu nuk ka demokraci, atëherë duhet lëvizje për të pasur një bashkim të lëvizjeve të reja. Nëse nuk ka presion Rama, ka SPAK.
Për Ramën, mendoj se luan me dy porta. Ai thotë se pas qeverisjes, do të ikë e do të merret me art. Por unë mendoj se do të rrijë në pushtet sa të jetë gjallë. Duke bërë krime, do ta mbrojë krimin. Është dënuar që të rrijë në pushtet sa të jetë gjallë. Edhe Sali Berisha e kishte këtë mendësi, por ranë piramidat dhe u largua. Këtu do bjerë kjo piramidë, kjo flluskë e madhe e ndërtimeve e do na marrë të gjithëve. Mua më duket i përcaktuar rezultati i zgjedhjeve, por prapë ka të panjohura, e duhet të presim”, deklaroi Lubonja.
(Balkanweb)