Kreu i PD Sali Berisha ka deklaruar se çdo premtim do ta mbajë 100 përqind. Kryedemokrati e dha premtimin në 34-vjetorin e themelimit të degës së Partisë Demokratike në Elbasan.

Berisha tha se në tre muajt e parë të qeverisjes së PD do të vendoset minimumi jetik prej 200 eurosh. Ai u shpreh se karta e konsumatorit do të jetë 450 euro. Berisha zotohet edhe për çmime të ushqimeve e udhëtimeve më të lira sesa janë sot.

Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha:

Miqtë e mi, ne që kujtojmë 34 vite më parë, e dimë shumë mirë se Shqipëria sot është 34 herë më ndryshe.

Por, po të ndalemi, çfarë kemi sot?

Ka disa ngjashmëri të pamohueshme.

Ngjashmëria e parë e madhe është se njëlloj si diktatori dhe elita e tij, Edi Rama dhe organizata e tij kriminale janë të shkëputur në mënyrë përfundimtare nga qytetarët shqiptarë.

Ata nuk kanë asnjë lidhje as me demokratët, as me socialistët, as më ata pa parti.

Ai lëron tokën me parmendë, Edi Rama udhëton me çarter privat personal.

Ai nuk ka çati, Edi Rama blen vazon kullë të fildishtë dhe e vendos në oborr dhe u uron Vitin e Ri.

Ai merr 70 euro, Edi Rama merr 50-fishin e tij.

Pra, miq, këta kanë krijuar një hendek të tmershëm me qytetarët, pavarësisht nga bindjet e tyre.

Është detyra jonë të ulemi me secilin sepse ne vërtet kemi një program, kemi një zotim, kemi një kontratë për të firmosur me secilin shqiptar.

Për ta nisur së pari aty ku ushëtojnë sirenat e urisë, varfërisë, mjerimit.

Miqtë e mi, çfarë ndodhi këto 10 vite? Këto 10 vite, 1 milion e 99 mijë shqiptarë u larguan nga Shqipëria drejt BE. U larguan nga skamja e varfëria. Sepse shqiptarët çdo vit ranë poshtë e më poshtë me rrogat dhe pensionet e tyre.

Sepse pensionistët sot në Shqipëri marrin një pension 160-170 euro, malazezi që nuk ka as një të dhjetën e pasurive të Shqipërisë, merr një pension 450 euro. Maqedonasi merr një pension 280 euro. Serbi merr një pension 330 euro.

Po pse? Ishim para tyre, çfarë ndodh? Nuk ka qeveri në botë që buron nga vota që të mos ua kthejë paratë që mbledh qytetarëve. Të mos i vendosë ata të parët.

Përveç kësaj qeverie, e cila ka krijuar mekanizma të tmerrshme për të përvetësuar miliarda. Më ka thënë njëherë një avokat i famshëm, takoi kryeministrin e Shqipërisë. E pyeta, si t’u duk. Problemi i tij është ky, më tha, si avokat kam pasur disa klientë miliarderë, por asnjë prej tyre hezitonte të vidhte miliardin tjetër, sepse nuk ngopen. Kështu është historia e Edi Ramës. Kështu është historia e këtyre ministrave.

Tani thonë se ku do i gjejë ky paratë.

Miqtë e mi, çdo premtim që kam bërë këtu dhe do bëj kudo, iu garantoj se do e mbaj 100 përqind. Se 3 muajt e parë, ndër vendimet më të para do vendoset minimumi jetik 200 euro. Kjo do të thotë që 57 përqind e pensionistëve, të cilët marrin jo pension të plotë, do marrin 200 euro. Kjo do të thotë se çdo pensionist shqiptar me pension të plotë 170 euro e poshtë, do marrë 200 euro. Kjo do të thotë se çdo shqiptar pa pension do marrë 200 euro. Kjo do të thotë se çdo i papunë do marrë 200 euro. Kjo do të thotë se çdo shqiptar me ndihmë ekonomike do marrë 200 euro.

Kjo është rruga për t’i thënë stop mjerimit.

Kjo është rruga për t’u dhënë shqiptarëve çdo ditë atë pagë që përjashton mjerimin.

Këtë do e bëjmë 3 muajt e parë.

A e dini ju? E dini sigurisht, qytetarët tanë blejnë me çmimet më të shtrenjta se në Itali, Gjermani ushqimet.

Qytetarët shqiptarë udhëtojnë me çmimet më të shtrenjta, sepse nafta e tyre është më e shtrenjtë se në Singapor.

Merr fund kjo.

Ne nuk do hyjmë në çmimet e ushqimeve, por do u japim kartën e konsumatorit të gjithë atyre që janë me rrogë minimale e poshtë.

Karta e konsumatorit është rreth 450 euro. Është rreth 3 pensione.

Do kompensohet çdo 6 muaj.

Do i ndajmë ndryshe ne këto të ardhura.

Është krijuar një hendek i lemeritshëm. Shoqëria është ndarë si kurrë në historinë e saj.

Pra, pensionisti do marrë edhe 3 pensione shtesë me rikthimin e TVSH-së.

Rrogë minimale nën 500 euro nuk do ketë në Shqipëri.

Dhe ky është fillimi.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb