Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e SHBA, në largim, Joe Biden, pasi ky i fundit anuloi vizitën në Romë për shkak të asaj që po ndodh në Kaliforni prej zjarreve.

Mediat italiane zbardhin detaje nga biseda duke theksuar se Meloni i ka përcjellë Bidenit “falenderimet dhe vlerësimet e thella për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm të zhvilluara në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe për çështje politike dhe zhvillimet në botë, parë edhe në kuadrin e Presidencës italiane të G7-ës”. Ky ishte njoftimi nga zyra e shtypit e Melonit.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë thekson se administrata amerikane donte të rikujtonte, veçanërisht, rëndësinë e rezultatit të arritur me marrëveshjen për alokimin e kredisë për Ukrainën prej 50 mld dollarësh, bazuar në fitimet që rrjedhin nga asetet e ngrira ruse dhe vuri theksin te lidershipi italian jo vetëm brenda G7-ës por edhe në NATO e BE. Palët nënvizuan lidhjet e forta mes dy vendeve.

Nga ana e saj, Meloni shprehu edhe ndjenjat e saj personale dhe solidaritetin e qeverisë italiane për shkatërrimet e tmerrshme që sollën zjarret në Kaliforni me një bilanc deri tani prej 100 viktimash, mijëra të evakuuar dhe zona të tëra të shkrumbuara.

Pikërisht për shkak të situatës delikate të shkaktuar nga zjarret atje, ku është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, Biden anuloi vizitën që do ta çonte në Romë në 11 janar, në vizitën e tij të fundit në Itali, para se t’i dorëzojë detyrën Donald Trumpit në 20 janar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb