Ledio Beqja do të vazhdojë karrierën në Hungari. Së fundmi klubi ETO Gyor e ka prezantuar mesfushorin përpara mediave.
“Jam pritur mirë si nga stafi ashtu edhe nga lojtarët. Më vjen mirë që kam dy bashkatdhetarë në ekip, gjë që më ndihmon të përshtatem. Kjo është hera ime e parë që vizitoj Hungarinë, por tashmë më pëlqen shumë ky vend. E di që kam hyrë në një ligë të fortë, kjo më jep një mundësi të madhe zhvillimi, kam besim se mund të rritem në detyrë dhe ta ndihmoj skuadrën në të ardhmen me një lojë të mirë”, deklaroi 23-vjeçari.
Edhe drejtuesit e klubit presin shumë nga lojtari shqiptar dhe besojmë se mesfushori do ta ndihmojë shpejt ekipin.
“Ledio është një lojtar i ri, i talentuar, i cili mund të forcojë menjëherë ekipin tonë, por mund të vazhdojë të zhvillohet në një nivel më të lartë. Intensiteti në lojën e tij do të na ndihmojë të zhvillojmë më tej stilin tonë të lojës. Jemi të lumtur që i jeni bashkuar klubit”, tha drejtori sportiv Steven Vanharen.