Tirana u trondit mbrëmjen e të dielës nga një atentat me armë zjarri në zonën e “Pallatit me Shigjeta”. Plot 6 plumba u qëlluan në drejtim të 56-vjeçarit Bujar Nasufi, pronar i një biznesi mobilerie.

Gazetari Igli Çelmeta raportoi se Nasufi u ekzekutua teksa ndodhej në automjetin e tij, pranë banesës. Dyshohet se autorët kanë ndjekur lëvizjet e viktimës. Grupi hetimor gjeti në vendin e ngjarjes 6 gëzhoja arme zjarri. Autori ka zbritur nga një motor të zi kur ka hapur zjarr, ndërsa mësohet se ka qenë i maskuar. Ai është larguar më pas në drejtim të Saukut.

Plagët e marra në trup kanë qenë fatale për Bujar Nasufin dhe ai ka humbur jetën teksa po transportohej drejt Spitalit të Traumës.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të krimit. Policia ngriti pika kontrolli dhe ushtroi kontrolle në zonë, por pa rënë në gjurmët e autorit. Gjithashtu janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë së bizneseve përreth të cilat mund të kenë fiksuar momentin e të shtënave ose largimin e autorit dhe mund të ndihmojnë në identifikimin e tij.

Njoftimi i Policisë

Më datë 12.01.2025, rreth orës 20:40, tek “Pallati me Shigjeta” në rrugën “Myrte Zeneli”, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti me drejtues shtetasin B.N, rreth 56 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën.

Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle në zonë për kapjen e autorit.

Informacion më të detajuar mbi këtë ngjarje do të japim në vijim pas veprimeve hetimore paraprake.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb