Eksperti Kujtim Hoxha, i ftuar në emisionin Koha për t’u zgjuar në News24 foli për bonusin e pensionistëve.
Hoxha thekson se bounsi i pensioneve do të shpërndahen në shkurt. Ai shprehet se zgjidhja për pensionistët është rritja e pensioneve.
“Është miratuar bonusi për pensionistët. Për ata që marrin pension deri 20 mijë lekë, bonusi do jetë 10 mijë lekë dhe për ata që marrin mbi 20 mijë lekë, bonusi do të jetë 5 mijë lekë. Mbi 500 mijë pensionistë kanë pensione nën 20 mijë lekë dhe ky është problemi. Qeveria duhet të rrisë pensionet. Kjo, sepse bonusi sot qeveria e jep dhe kujtohesh pas shumë vitesh. Unë them se shkak për bonusin është fushata elektorale. Bonusi do nisë të shpërndahet në shkurt”, tha Hoxha.
Më tej, Hoxha nënvizoi se kushdo që nuk ka bërë 15 vite pune, mund të derdhë kontribute vullnetare.
“Sigurimi vullnetar, bëhet në raste të veçanta, kur nuk ka kushte për t’u siguruar në skema të tjera, si skena e detyrueshme shoqërore, kur një person është i punësuar ose i vetëpunësuar. Kur nuk futet në këto skema, qytetari ka të drejtë të paguajë kontributet. Kontributi vullnetar bëhet kur një qytetar nuk ka punuar me sigurime për 15 vite. Kontributi bëhet mbi bazë të tarifës të vitit që ne duam të paguajmë sigurimet. Por, qytetarët duhet të kenë kujdes. Kushdo që derdh kontribute, të paguajë për 15 vite pune. Kjo skemë vlen vetëm për pensionet e pleqërisë”, deklaroi Hoxha.
(BalkanWeb)