Derbi kundër Milan tronditi në themel të ardhmen e Asllanit tek Inter, por për fatin e mirë të mesfushorit kuqezi Simone Inzaghi i dhuroi menjëherë një shans të dytë, një shans që Asllani këtë herë nuk e shpërdoroi pasi përballë Venezia-s zhvilloi një ndeshje pozitive, nuk gaboi thuajse në asgjë. Mediat italiane të cilët këtë periudhë nuk janë kursyer, folën me fjalë pozitive, duke e vlerësuar paraqitjen e mesfushorit kuqezi me notën 6,5:
“Pas katastrofën në Riad e gjithë vemëndja ishte mbi të. Bilancet e takimit të së dielës ishin pozitive, ka shumë arsye për të besuar akoma tek ai. Bëri gjithçka mirë, edhe pa top. Nga pasi i tij lindi edhe goli i fitores”, shkruan TuttomercatoWeb.
Në përfundim të ndeshjes, Asllani tregoi se kjo ka qenë një periudhë shumë e vështirë për të, kritikat e shumta e detyruar të mbyll edhe rrjetet sociale:
“Shumë kritika? Besoj se po, por nuk ka asnjë problem, jam mësuar tashmë. Mbylla të gjithë rrjetet sociale pasi kam mësuar nga e kaluara. Gjithsesi, e rëndësishme ishte që të fitonim këtë ndeshje. Jam shumë i lumtur për shokët që kam, më kanë qëndruar pranë dhe besojnë tek unë”, u shpreh Asllani për faqen zyrtare të klubit.
(BalkanWeb)