Tre tregtarë të dyshuar droge u arrestuan si pjesë e një hetimi të kryer nga policia kantonale në bashkëpunim me shërbimet antidrogë të policisë së qytetit të Bellinzona në Zvicër.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria Publike dhe Policia kantonale, duke sqaruar se prangat i janë vënë një 51-vjeçari dhe një 31-vjeçari, të dy shtetas zviceranë me banim në zonën e Bellinzonas, si dhe një 41-vjeçari banues në Shqipëri.
Të tre dyshohet se janë përfshirë në një biznes të madh shpërndarjeje droge (veçanërisht kokainë) për klientët vendas. Nga kontrolli i banesës së 51-vjeçarit, ku ndodhej 41-vjeçari shqiptar, u gjet edhe një sasi marijuane.
Akuzat ndaj tyre janë shkelje e rëndë dhe shkelje e ligjit federal për narkotikët si dhe shkelje e ligjit federal për të huajt dhe integrimin e tyre.