Rifillimi i kampionatit me javën e 20-të shkoi ashtu siç duhet për Egnatian, duke parë se Ajo vetë fitoi dhe dy nga tre rivalët e saj për kreun e klasifikimit u ndalën. Rrogozhinasit tashmë janë vetëm një pikë nga vendi i parë, edhe pse mbeten sësrish në vend të katërt.

Afrimet e fundit, Fernando dhe Leo Melo, duket se u përshtatën menjëherë me grupin, duke treguar se trajneri Edlir Tetova mund të mbështetet që në fillim te përforcimet. Mister ishte mosaktivizimi i portierit Mario Dajsinani në ndeshjen me ishskuadrën e tij, por pritet që “gardiani” të luajë në ndeshjen e radhës.

MERKATO – Edhe pse trajneri Edlir Tetova ka pohuar pas afrimeve të fundit se Egnatia është e kompletuar në të gjitha repartet për të përballuar kampionatin, sërish ka vend edhe për ndonjë përmirësim të mundshëm. Ndaj kurbinasve kampionët në fuqi ia dolën të shënonin vetëm në minutën e fundit, çka tregon se atyre u mungon ende një sulmues që t’i nxjerrë nga situata, edhe pse ai që shënoi në funde ishte pikërisht sulmuesi kryesor Bakajoko.

Synimi i parë është Redon Xhixha, por sa më shumë ditë kalojnë, aq më i vështirë bëhet kalimi i tij në radhët e rrogozhinasve. Këta të fundit duket se po shohin një tjetër pistë, bëhet fjalë për një ishlojtar të Egnatias, si azeri Vujsal Isgandarli. Sulmuesi u largua janarin e vitit të kaluar për te turqit e Bolusporit, ku nuk ka kaluar një periudhë të mirë, pasi i kanë munguar hapësirat. Ai është aktivizuar në vetëm 5 ndeshje me 100 minuta në total, duke mos shënuar asnjë gol.

Kanë qenë mediat azere që kanë zbuluar se është një alternativë rikthimi i Isgandarli në Shqipëri dhe Egnatia është destinacioni më i mundshëm edhe për faktin se ka qenë më parë pjesë e rrogozhinasve. Por ka edhe një skuadër tjetër të Superiores që interesohet për sulmuesin, sipas shtypi azer, dhe ajo mund të jetë Tirana.

Me ekipin e Tetovës lojtari luajti një gjysmë sezoni të mirë, në 18 ndeshje shënoi 6 gola. Gjithsesi, mbetet për t’u parë sesi do të vijojnë ngjarjet, por fakti që kampionët ia dolën të rikthenin Fernandon është një sinjal se mund të bëjnë të njëjtën gjë edhe me Isgandarlin. Në Rrogozhinë ai ka lënë përshtypje të mira dhe rikthimi nuk duket një mision i pamundur. Për më tepër, duke qenë se e njeh mirë ambientin dhe kampionatin shqiptar, nuk do të ishte problem përshtatja e tij me skuadrën dhe t’i jepte një “dorë” për mbrojtjen e titullit kampion.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb