Gazetarja Glidona Daci, e ftuar në studion e “Open”, ka zbuluar detaje të reja lidhur me vrasjen e biznesmenit Bujar Nasufi, i cili u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në Tiranë.
Daci theksoi se deri në këto momente, autori i krimit ka qenë i veshur me skafandër, duke bërë thuajse të pamundur identifikimin e tij. Ajo shtoi se besohet se autori ka humbur gjurmët pranë Kodrës së Diellit, pas kryerjes së krimit.
Sipas informacioneve të saj, autori ishte veshur si shpërndarës picash dhe ka pritur që bashkëshortja e viktimës të zbresë nga makina, para se të hapte zjarr ndaj Bujar Nasufit, i cili po parkonte automjetin e tij.
Daci nënvizoi se, nga verifikimet e tanishme, viktima nuk ka pasur konflikte të mëparshme apo precedentë penalë.
Megjithatë, ajo shtoi se dyshimet kryesore lidhen me çështje pronësie. Bujar Nasufi ishte banues në një pallat që e kishte ndërtuar vetë, dhe kishte disa apartamente dhe biznese në pronësi. Dyshohet se vrasja mund të jetë e lidhur me konflikte pronësie, të cilat mund të kenë sjellë arsyet për këtë akt.