Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS Romina Kuko në një lidhje live në News 24 nga Selaniku foli për votën e diasporës.
Kuko theksoi se ka interes të lartë nga diaspora për të votuar. Ajo shtoi se deri tani janë mbi 13 mijë aplikime për të votuar nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
“Ka interes të lartë nga diaspora për të votuar. Deri tani janë mbi 13 mijë aplikime nga shqiptarët jashtë që të votojnë. Meshkujt janë më të interesuar që të votojnë sesa femrat. Aplikimi duhet bërë me kujdes, procesi do pak kohë. Shifra që kemi deri tani është e kënaqshme do të thosha. Ne nuk kemi asnjë rol në aplikimet që bëhen në platformë. Është një sistem i ri, me të cilin duhet të mësohemi. Regjistrimet më të shumta kanë qenë nga Italia dhe Greqia. Platforma është e sigurt dhe nuk kontestohet dot”, tha Kuko.
Më tej, ajo vlerësoi se PS e ka pasur gjithmonë në fokus diasporën.
“PS i ka kushtuar vëmendje gjithmonë diasporës. Partia Socialiste ka pasur gjithmonë degë në shtete fqinje si Greqia, Italia etj. Tani po përqendrohemi edhe më shumë, pasi diaspora po voton. Diaspora është në vendet e botës prej më shumë se 30 vite, ata kanë tre breza në shtete të ndryshme. Emigrimi së fundmi ka ndodhur në të gjitha vendet ku ka pasur integrim në BE. Njësoj ka ndodhur edhe me Rumaninë, edhe me Kroacinë, kur ata u afruan drejt Bashkimit Europian, pati emigrim masiv. Çdokush ka të drejtën e tij të emigrojë për mundësi më të mira. PS do fitojë thellë në zgjedhje”, u shpreh Kuko.
(Balkanweb)