Dje pasdite Partizani është kthyer në stërvitje, këtë herë në funksion të Kupës, trofeut aq të munguar prej 21 vitesh. Ndeshja e parë në këtë kompeticion për të kuqtë është kundër Apolonisë, me një betejë teke në stadiumin “Arena e Demave” të mërkurën në orën 17:00. Skuadra është vënë dje nën urdhrat e ndihmësve Veselinoviç, që i kanë pasur në dispozicion të gjithë, përveç Kotes.

Ky i fundit vazhdon rikuperimin dhe do t’i duhen edhe 2-3 javë për tu rikthyer. Vetë trajneri serb ka qenë i pranishëm në impiant, por ka marrë pjesë vetëm në një fjalim në dhomat e zhveshjes e më pas ka ndjekur gjithçka nga lart për shkak të probleme me gripin, të paktën mesa pretendon ai.

Tekniku ka përgëzuar skuadrën për impenjimin në ndeshjen kundër Skënderbeut, por ka vënë në dukje dhe gabime që duhen ndrequr në sfidat pasardhëse. Në ndeshjen e radhës kundër Apolonisë ai pritet të bëjë rrotacion në 11- she, duke i dhënë mundësinë lojtarëve rezervë që të tregojnë veten.

SODIK – Ka një lajm të madh edhe sa i përket situatës me nigerianin. Klubi i Partizanit mesa duket ka arritur të shkoqisë si duhet kontratën me mbrojtësin dhe bazuar te ky fakt, ka vendosur që ta mbajë mbrojtësin si pjesë të ekipit. Pas afro dy javësh që refuzonte të stërvitej, Ismaila Sodik ditën e djeshme ka bërë një hap pas dhe është kthyer të trajnohet me skuadrën.

Gjatë seancës ai është parë shumë i mërzitur dhe demoralizuar, por fakti është se ka kontratë me “demat” dhe duhet të tregohet profesionist. Me rinisjen e stërvitjes, duket se merr fund edhe çështja e madhe e stërzgjatur e mbrojtësit, që kërkon largimin për shkak se ka oferta shumë më fitimprurëse.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb