Udhëheqësit e NATO-s dhe Bashkimit Evropian janë pajtuar që të nisin një mision monitorues në Detin Baltik, pas disa “incidenteve serioze” që kanë dëmtuar infrastrukturën kritike nënujore. Për disa nga këto incidente janë përfshirë anije që dyshohet se janë pjesë e të ashtuquajturës flotë në hije të Rusisë.

Në një takim në Helsinki më 14 janar, udhëheqësit nga tetë shtete të Detit Baltik, dhe shefi i NATO-s, Mark Rutte, njoftuan se në misionin në Baltik do të “dislokohen asete shtesë në det, ajër, tokë dhe nën sipërfaqen e detit për të rritur vigjilencën dhe parandalimin”.

“Luftimi i dëmtimeve të kabllove dhe tubacioneve nënujore është një problem global”, tha grupi përmes një deklarate të përbashkët.

“Përdorimi i të ashtuquajturës flotë në hije të Rusisë paraqet një kërcënim për sigurinë detare dhe mjedisore në rajonin e Detit Baltik dhe në aspektin global. Kjo praktikë e dënueshme po ashtu kërcënon integritetin e infrastrukturës nënujore, rrit rreziqet që lidhen me municionet kimike të hedhura në det dhe mbështet ndjeshëm financimin e luftës së paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës”.

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, NATO-ja kishte njoftuar se do të rriste praninë në rajon, pas një akti të dyshuar të sabotimit të kabllove mes Finlandës dhe Estonisë.

Disa kabllo të telekomunikimit dhe kabllo të energjisë janë dëmtuar në Detin Baltik që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 2022. Ekspertët dhe politikanët kanë thënë se në këto incidente kanë qenë të përfshira anijet e “flotës në hije” të Rusisë. Kremlini ka mohuar çdo përfshirje.

Një ditë më herët, Rutte tha në Parlamentin Evropian se “veprime të tilla armiqësore” nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar, duke premtuar për forcim të pranisë ushtarake të NATO-s në rajon.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: